Ministri Buja takon ministrin e Arsimit Kombëtar të Turqisë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në ditën e dytë të vizitës së tij në Turqi është pritur nga ministri i Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, Nabi Avci.
Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan për bashkëpunimin në fushën e Arsimit të lartë, me theks të veçantë për nivelet e studimit Master dhe PhD (doktoratës).
“Në këtë takim një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe përgatitjes së kuadrove të reja, që do të shërbejnë për universitetet e reja publike që janë themeluar e të cilat pritet të fillojnë punën së shpejti, gjë për të cilën ministri Buja mori mbështetje të plotë nga homologu i tij turk Nabi Avci”, bënë të ditur Ministria e Arsimit në një komunikatë për media.
Të dy ministrat gjatë darkës së përbashkët, ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues të Arsimit të mbi 80 prefekturave të Turqisë, u dakorduan që marrëveshjet e bëra të japin rezultatet e duhura dhe të jenë një shtytje për rritjen e bashkëpunimit të të dyja vendeve edhe në të ardhmen.
Po ashtu, të dy ministrat thanë se shteti i Kosovës dhe ai i Turqisë po bëjnë marrëveshje shumë të dobishme dhe si rezultat popujt e të dyja vendeve tashmë kanë ndërtuar urat e bashkëpunimit dhe komunikimit.
Ndryshe, gjatë vizitës që ministri Buja po i bën Turqisë, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Unioni i Universiteteve Euro-Aziatike në Stamboll, ndërkaq gjatë ditës së sotme ai do të takohet edhe me përfaqësues të institucioneve tjera të arsimit, si dhe me udhëheqës të universiteteve më prestigjioze në Turqi. /Indeksonline/