Ministri Gogu: Instituti për të miturit, gati deri në mars 2027

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori sot një angazhim para Kongresit të 15-të të OKB-së për Parandalimin e Krimit dhe Drejtësinë Penale në Abu Dhabi.
Instituti i Edukimit dhe Rehabilitimit të të Miturve do të jetë plotësisht funksional brenda tremujorit të parë të vitit 2027.
Gogu e nisi fjalimin me një histori njerëzore nga Kruja, ku një i ri i cili kishte shkelur ligjin në moshën 17-vjeçare dhe gjatë dënimit, i mbështetur nga programi i riintegrimit, kishte arritur të merrte shkollimin dhe formimin profesional dhe sot punon dhe siguron jetesën e vet.
“Parandalimi i krimit nuk përfundon kur një krim është kryer. Ndonjëherë, pikërisht aty fillon parandalimi”, tha Gogu.Ministri theksoi se rrjetet kriminale nuk njohin kufij.
Sipas tij, përgjigjja duhet të ketë tre shtylla: institucione të forta, bashkëpunim ndërkombëtar dhe konfiskim të pasurive kriminale. Ai bëri të ditur gjithashtu se dy ditë më parë Shqipëria nënshkroi Konventën e OKB-së kundër Krimit Kibernetik.
“Teknologjia duhet ta ndihmojë gjykimin njerëzor. Ajo nuk duhet ta zëvendësojë kurrë”, u shpreh Gogu.
Instituti i ri do ta vendosë fëmijën në qendër dhe do të mbështetet te arsimimi, rehabilitimi dhe riintegrimi.
“Një vepër penale e kryer në fillim të jetës nuk duhet të përcaktojë gjithë pjesën tjetër të saj”, përfundoi ministri.