Ministri Gonxhja uron Lara Colturi për suksesin historik në Botërorin e Skive

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka përshëndetur suksesin e skiatores shqiptare Lara Colturi, e cila ka zënë vendin e dytë në Botërorin e Slalomit të Skive në Levi të Finlandës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja u shpreh se “Shqipëria shkëlqen në pistë me një performancë spektakolare, me një diferencë minimale ndaj kampiones Shiffrin.”
Colturi, në ditën e saj të 19-vjetorit, realizoi dy lëshime perfekte duke regjistruar kohën 1:50.58, që i siguroi podiumin e dytë. Kampionia amerikane Mikaela Shiffrin, me kohën 1:48.92, fitoi për herë të nëntë në Levi.
“Lara Colturi fiton vendin e dytë në Botërorin e Slalomit të Skive në Finlandë!! Shqipëria shkëlqen në pistë me një performancë spektakolare, me një diferencë minimale ndaj kampiones Shiffrin, e cila fitoi për herë të nëntë slalomin në Levi të Finlandës! E gjithë kjo në një ditë të veçantë për Larën, e cila sot feston edhe ditëlindjen e saj të 19-të!– shkruan Gonxhja.
Ky sukses i Larës vjen në një moment të rëndësishëm për sportin shqiptar, ndërsa Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) ka siguruar transmetimin ekskluziv të Kampionatit Botëror të Skive, duke sjellë për publikun shqiptar emocionet e garave më të mëdha të sportit dimëror.
Colturi po e vendos Shqipërinë në hartën e skive botërore, duke u bërë një shembull frymëzimi për brezat e rinj të sportistëve.
/rtsh.al/