Dy efektivët u ndaluan pas atenatit në Rinas-Gjykata e Tiranës e cilëson të paligjshëm arrestimin

Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur që arrestimi i dy policëve të komisariatit Nr.3, Bruno Cara dhe Arshim Zajmi, të jetë i paligjshëm, duke mos caktuar asnjë masë sigurimi ndaj tyre.
Dy efektivët u ndaluan pas atentatit të ndodhur mesditën e 11 nëntorit në Rinas ndaj Gilmando Danit (krahut të djathtë të Emiljano Shullazit) dhe Muçi Shaljanit, i cili rezultoi që ishte edhe agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), prej rreth tre muajsh, ndonëse me të shkuar problematike dhe pa pasur certifikatën e nevojshme të sigurisë.
Kjo solli hetime intensive për të zbardhur procedurat që janë ndjekur për emërimin e tij si agjent i AMP-së, gjë e cila solli ndalimin e dy punonjësve të Policisë së Shtetit, Nënkomisar Bruno Cara dhe Inspektor Arshim Zajmi të Komisariatit Nr. 3, Tiranë.
Ata u ndaluan pasi dyshohen se kanë falsifikuar Vërtetimin e Besueshmërisë që i mundësoi Muçi Shaljanit të punësohej si agjent i AMP-së, ndërsa sot Gjykata Penale e Tiranës vendosi se arrestimi i tyre ishte i paligjshëm duke mos caktuar asnjë masë sigurie.
Ndërkaq, mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës ndërroi jetë edhe Muçi Shaljani. Ai mbeti i plagosur në atentatin e mesditës së 11 nëntorit teksa ishte kthyer nga Barcelona së bashku me mikun e tij Gilmando Dani (i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit) ku ky i fundit mbeti i vdekur në vend, ndërsa Shaljani u shtrua në spitalin e Traumës dhe u vendos në intubim, por pa arritur të mbijetojë duke ndërruar jetë në mëngjesin e 15 nëntorit.
/rtsh.al/