Ministri Haziri premton investime në stadiumin e Prishtinës

Prishtinë, 12 gusht - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lutfi Haziri, ka vizituar stadiumin e Prishtinës të mërkurën dhe ka premtuar ndihmë në rregullimin e tij. Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka ndarë 160 mijë euro për të përmirësuar gjendjen e këtij stadiumi në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshje ndërkombëtare. "Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Sportit, e ka një projekt për ndërtimin e dy fushave ndihmëse dhe përmirësimin e kushteve në stadiumin e kryeqytetit", ka thënë Haziri. Ai bëri të ditur se në këtë projekt është i përfshirë edhe mbulesa e stadiumit.