E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Krasniqi: Kosova, vend ku të rinjtë kanë rol të rëndësishëm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi sot në konferencën ‘Pjesëmarrja dhe Fuqizimi i Rinisë’, e mbajtur në Prishtinë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë tha se fuqizimi i rolit të rinisë në jetën publike është një angazhim i gjithë shoqërisë.

“Ajo çka institucionet dhe mekanizmat tjerë duhet të bëjnë është të krijojnë gjithë hapësirën dhe kushtet e nevojshme për një rol sa më aktiv të të rinjve”, thuhet në njoftmin e ministrisë.

Ministri Krasniqi shtoi se është e vërtetë që ka ende shumë procese që duhet kryer e që e prekin rininë, por theksoi po ashtu se një gjë që e bën Kosovën lider në rajon është dhënia e përgjegjësive institucionale dhe aktivizimi në shoqëri civile.

Ai tha se është e rëndësishme që secili individ dhe shoqëria në përgjithësi të punojë për një të ardhme më të mirë.

“Duhet ta dimë që sikur një i ri që përballet me sfida gjatë rritjes deri në pjekuri, mund të jetë për shembull dilema rreth zgjedhjes që kemi bërë në karrierë, raportet me miq, kontributi në familje e gjëra të tilla, edhe Kosova si shtet i ri ka sfidat e saj në krijimin e një shoqërie demokratike, një shtet të zhvilluar. Unë dua të them që të gjithë jemi nga pak të pakënaqur me jetën në Kosovë.

Por, mendoj se duhet të gjejmë shpresat për të ardhmen të të rinjtë e shkolluar dhe që besojnë se mund të bëjnë ndryshime në Kosovë duke dhënë ide, duke qenë qytetarë aktiv të shoqërisë, e duke marr pjesë në procese nëpër të cilat kalon vendi”, ka thënë Krasniqi.

Kjo konferencë u organizua nga MKRSja, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Këshilli Qendror për Veprim Rinor./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›