E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Lamallari në Nju Jork, homazhe te Memoriali i 11 Shtatorit dhe takim me oficerët shqiptarë të NYPD

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një sërë ndalesash me rëndësi simbolike dhe institucionale në qytetin e Nju Jorkut. Në qendër të agjendës së tij ishte nderimi i viktimave të terrorizmit global, si dhe vlerësimi i kontributit të diasporës shqiptare në institucionet ligjzbatuese amerikane.

Homazh për viktimat dhe thirrje për solidaritet global

Gjatë qëndrimit në metropolin amerikan, Lamallari vizitoi Memorialin dhe Muzeun Kombëtar të 11 Shtatorit (9/11 Memorial & Museum). Përmes pamjeve të ndara në rrjetet sociale, kreu i dikasterit të Brendshëm e cilësoi këtë vizitë si një homazh të thellë për ngjarjen që tronditi dhe ndryshoi historinë moderne të njerëzimit.

Në mesazhin e tij publik, ministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes shteteve për t’iu përgjigjur kërcënimeve të përbashkëta të sigurisë:

“Në Memorialin dhe Muzeun Kombëtar të 11 Shtatorit në Nju Jork, një vend që ruan kujtesën e një prej ngjarjeve më tronditëse në historinë moderne të botës. Me respekt të thellë për jetët e humbura dhe për sakrificën e atyre që shërbyen me kurajo në momentet më të vështira. Kjo vizitë është një kujtesë e fortë për rëndësinë e solidaritetit, sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me sfidat globale,” u shpreh Lamallari.

Krenari për shqiptarët në radhët e NYPD-së

Përtej homazheve, vizita e ministrit u shënua edhe nga një takim i veçantë me bashkëkombësit që mbajnë uniformën e një prej strukturave policore më të mëdha dhe më prestigjioze në botë, Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD).

Lamallari vlerësoi lart profesionalizmin dhe integrimin e tyre të suksesshëm në institucionet thelbësore të SHBA-së. Duke folur për rolin e këtyre oficerëve, ministri theksoi ndihet “krenar për bashkëkombasit tanë”, të cilët i shërbejnë me dinjitet dhe devotshmëri komunitetit njujorkez.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›