E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Nufi: Zjarret në Delvinë dhe Finiq nën kontroll, falë ndërhyrjes së Forcave të Armatosura dhe pilotëve të Forcave Ajrore

Ministri i Mbrojtjes, Erma Nufi, ka vlerësuar punën e pilotëve të Forcave Ajrore dhe të të gjitha strukturave të angazhuara në përballimin e zjarreve në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri theksoi se tre helikopterë kanë ndërhyrë njëkohësisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa falë koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Forcave të Armatosura, si dhe bashkërendimit të strukturave vendore e qendrore, situata është vënë nën kontroll.

Ministri shprehu mirënjohje për të gjithë efektivët, pilotët, zjarrfikësit dhe pjesëtarët e Forcave të Armatosura, duke vlerësuar profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tyre në vijën e parë të operacionit për shuarjen e zjarreve.

“Punë e jashtëzakonshme e pilotëve të Forcave Ajrore me ndërhyrjen e 3 helikopterëve njëkohësisht dhe të gjithë efektivëve të angazhuar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq.

Në koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe punës së palodhur të Forcave të Armatosura, si dhe bashkërendimit të strukturave vendore dhe qendrore, situata është vënë nën kontroll.

Çdo ndërhyrje, çdo fluturim, çdo minutë ka një mision: të mbrojmë jetën, banesat dhe natyrën.

Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv, pilot, zjarrfikës dhe pjesëtar të Forcave të Armatosura që, me profesionalizëm, guxim dhe përkushtim, ishin dhe vazhdojnë të jenë në vijën e parë të këtij operacioni”, shkruan ministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›