E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Pollo: Vijon fushata ndërgjegjësuese për siguri në internet

Në kuadër të Ditës për Internet më të Sigurt u organizua sot në hotel Tirana Konferenca Kombëtare për Sigurinë e Fëmijëve në Internet. I pranishëm në këtë konferencë Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo falenderoi kompaninë Microsoft Albania për organizimin, dhe tha se “Ky event po kthehet në një traditë, në të cilin jemi mbledhur rregullisht për të theksuar këtë aspekt të internetit dhe të botës digjitale, të zhvillimit të jashtëzakonshëm që kemi parë në dekadën e fundit.”

Duke përmendur disa statistika Ministri Pollo tha ndër të tjera se: “Numri i përdoruesve të teknologjisë së informacionit e të komunikimit, është rritur ndjeshëm; numri i përdoruesve celularë në vend e kapërcen shifrën 100%, numri i smart phone-ve është rritur shpejt dhe tek ne dhe si përdorues të internetit llogaritet afro 60% e popullsisë. Shumë shpejt është rritur dhe numri i përdoruesve në rrjetet sociale. Vetem në facebook aktualisht ka gati 1,3 milion përdorues, ose e thënë ndryshe me shumë se 78% e popullsisë online janë aktivë në rrjetet sociale.”

Në lidhje me përdoruesit e rinj dhe të mitur Ministri vuri në dukje se : “Nëse analizojmë të dhënat për moshën e përdoruesve të rrjeteve sociale, rezulton që shumica e tyre janë të rinj nën 24 vjeç. Por ndër përdoruesit aktivë të rrjeteve sociale, përfshihet dhe një përqindje jo e vogël e moshave nën 18 vjec, kështu 15%  e tyre janë 15-17 vjec dhe 6% në moshën 13-15 vjec.”

Ministri vijoi se: “Vitin e kaluar në ditën e Internetit më të sigurtë  organizuam një tryezë  “Të gjithë së bashku për një Internet më të sigurtë” dhe bashkarisht me kompanitë e komunikimeve elektronike, duke filluar me katër operatorët celularë, filluam një proces konsultimi, duke i përfshirë këta operatorë, ISP-të, institucionet publike, organizatat për mbrojtjen e fëmijeve etj, pranuam dobinë dhe nevojën e përshtatjes dhe zhvillimit të praktikave të vetë-rregullimit midis operatorëve, në mënyrë që të ndërmerren masa dhe angazhime për ndërgjegjësimin prindëror, të familjeve, të femijeve për një Internet më të sigurt. Organizuam një sërë aktivitetesh në bashkepunim me MASH, Microsoft, Televizionet, keta te fundit  pranuan të transmetojnë video, ku i bëhet thirrje publike prindërve për të patur kujdes dhe ku jepen edhe udhëzime fillestare se si mund të jesh i kujdesshëm, si dhe për tu orientuar te website-t ku mund të merret një informacion më i plotë dhe më i detajuar”.

Si ndër veprimet konkrete në këtë fushë Ministri Pollo njoftoi se “Këtë të enjte, pas një pune njëvjeçare, do të jemi të pranishëm në ceremoninën e nënshkrimit të Kodit të Sjelljes midis operatorëve mobilë dhe ISP-ve, për të futur praktika të reja dhe një trajtim më të kujdesshëm ndaj klientëve të tyre, pra ndaj marrësve të shërbimit të internetit, në mënyrë që gjithkush të ketë mundësi të mbrohet dhe të ketë dijeni se si të mbrohet.”

Në konferencë morën pjesë Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, Ambasadori ShBA-ve z. Alexander Arvizu, Ambasadori i BE-së z. Ettore Sequi, mësues, nxënës, etj.


05/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›