Ministri Pollo në konferencë për shtyp: “Lufta kundër korrupsionit: amendohen këtë javë dy ligje, ai për Deklarimin e Pasurive të Zyrtarëve dhe Ligji për Konfliktin e Interesave
Javën e ardhshme, komisionet kuvendore do të fillojnë punën me dy projektligje të propozuara nga Qeveria, të cilat fokusohen tek lufta kundër korrupsionit. Më konkretisht do të amendohen ligjet për Deklarimin e Pasurive të Zyrtarëve dhe ligji për Konfliktin e Interesave, pas një pune të gjatë të institucioneve të qeverisë shqiptare që kanë përfituar nga asistenca e Këshillit të Evropës.
Me këtë rast sot Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo, iniciator i projektligjeve dhe kryesues i Grupit Ndërministror të Punës për “Strategjinë Ndërsektoriale te Parandalimit, Luftës Kundër Korrupsionit e Qeverisjes Transparente”, mbajti një konferencë për shtyp ku deklaroi se:
“Këtë javë, komisionet kuvendore fillojnë punën dhe me dy projektligje të propozuara nga Qeveria, të cilat
fokusohen tek lufta kundër korrupsionit; e çmoj të nevojshme që të informohet publiku me përmbajtjen e tyre.
Do të amendohen Ligji për Deklarimin e Pasurive të Zyrtarëve dhe Ligji për Konfliktin e Interesave; Kjo pas
një pune të gjatë të institucioneve tona që kanë përfituar nga asistenca e Këshillit të Evropës.
Konkretisht:
1. Ndërkohë që ligji e kërkon deklarimin e pasurisë të familjarëve të ngushtë të zyrtarit në jo pak raste, kjo gjë nuk është bërë prej familjarëve. Projektligji e qartëson detyrimin, ndëshkimin për shkelësit dhe dënimi sipas Kodit Penal për deklarimet e rreme.
2. Përcaktohet detyrimi për të deklaruar çdo shpenzim mbi 5 milionë lekë të vjetra, të cilat ILDKP do t’i kontrollojë përfshi edhe udhëtimet private jashtë vendit për t’i ballafaquar me të ardhurat e deklaruara.
3. Përcaktohet mirë: Personi i lidhur me zyrtarin që i nënshtrohet kontrollit të pasurisë: është “bashkëjetuesi”, sipas Kodit të Familjes, është “I besuari”, pra ai që administron pasuritë e zyrtarëve (sipas ligjit të konfliktit të interesave). Personi i lidhur i nënshtrohet kontrollit ashtu si edhe zyrtari. ILDKP përcakton rast pas rasti, ndër zyrtarët që kontrollohen me short, se cilët janë personat e lidhur me ta.
4. Ndër zyrtarët, që i nënshtrohen deklarimit periodik e kontrollit me short, tanimë do të përfshihen dhe drejtorët në nivel qarku si ai i arsimit, shëndetësisë, ZRPP, etj. Në këto nivele realizohet një numër i lartë e vëllim i madh marrëdhëniesh kontraktuale gjë që e bën të nevojshme këtë hap.
5. Në ligjin për konfliktin e interesave saktësohen e rreptësohen normat e procedurat, si dhe janë përfshirë në të dhe drejtuesit e Pushtetit Vendor.
Në tërësi ILDKP-së i shtohen kompetenca që do të mundësojnë një rol më aktiv me ndjekjen e çështjeve edhe në gjykatë.
Është për tu vërejtur se si pasojë e kontrolleve të ILDKP-së janë gjetur shkelje e janë marrë masa deri në shkarkim nga detyra. Ndër aspektet që nuk kanë funksionuar siç duhet dhe që ILDKP është ankuar shpesh për këtë, është ai i ndjekjes penale, që siç e dimë është përgjegjësi e organit të akuzës.
Në tërësi paketa e amendimeve ligjore do të mundësojë një veprim më efikas në këto fusha”
15/07/2012