E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Ukraina gati për bisedime paqeje në çdo kohë, BE të shtojë sanksionet ndaj Rusisë

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, deklaroi se Ukraina mbetet e gatshme për bisedime paqeje në çdo kohë dhe në çdo format, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Europian të miratojë paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, aktualisht të bllokuar nga Sllovakia.

Duke folur nga qyteti polak i Lublinit, në një konferencë me ministrat polakë dhe lituanezë, Sybiha theksoi se Kremlini po përdor terror ajror kundër civilëve, duke dështuar në fushën e betejës.

Ai dënoi sulmet e fundit ndaj qyteteve ukrainase, si dhe një sulm në një fabrikë në pronësi polake në Ukrainë.

“Moska kërkon të na thyejë shpirtin, por nuk do të ketë sukses, veçanërisht për sa kohë që jemi të bashkuar”, tha Sybiha.

Ai mohoi pretendimet ruse se Ukraina po vonon bisedimet për paqe, duke i cilësuar si “gënjeshtra dhe manipulim”.

Sybiha theksoi se Kievi ka pranuar propozimet e mbështetura nga SHBA për armëpushim dhe është i hapur për negociata në çdo vend dhe me çdo format.

Deklaratat e tij u mbështetën nga përfaqësuesit e Polonisë dhe Lituanisë, me këshilltarin lituanez Kęstutis Budrys që dënoi “narrativat e rreme ruse” dhe theksoi rëndësinë e presionit të mëtejshëm ndërkombëtar ndaj Moskës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›