Sulmi i Izraelit në Damask, reagon Presidenti i Sirisë: “Nuk kemi frikë nga lufta”, prioriteti ynë të mbrojmë druzët”

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, deklaroi se mbrojtja e qytetarëve druzi dhe të drejtave të tyre është “prioriteti ynë”, derisa Izraeli u zotua se do t’i shkatërrojë forcat qeveritare siriane që po sulmojnë druzët në jug të Sirisë.
Në fjalimin e tij të parë televiziv pas bombardimeve të fuqishme izraelite mbi Damask të mërkurën, Sharaa iu drejtua druzëve duke thënë se “ne e kundërshtojmë çdo përpjekje për t’ju tërhequr në duart e ndonjë pale të jashtme”.
“Ne nuk jemi nga ata që tremben nga lufta. Ne e kemi kaluar jetën duke u përballur me sfida dhe duke mbrojtur popullin tonë, por kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit”, tha ai.
Ai shtoi se populli sirian nuk ka frikë nga lufta dhe se është i gatshëm të luftojë nëse rrezikohet dinjiteti i tyre.
Sulmet ajrore izraelite shkatërruan një pjesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë dhe goditën pranë Pallatit Presidencial, pasi Izraeli u zotua se do t’i “shkatërrojë” forcat qeveritare që po sulmojnë druzët në jug të Sirisë dhe kërkoi tërheqjen e tyre.
Bombardimet shënuan një përshkallëzim të madh nga ana e Izraelit kundër administratës së udhëhequr nga Sharaa. Ato ndodhën pavarësisht afrimit të Sharaas me SHBA-në dhe kontakteve të administratës së tij me Izraelin në fushën e sigurisë.
Duke përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si xhihadistë të maskuar dobët, Izraeli tha se nuk do t’i lejojë ata t’i zhvendosin forcat në jug të Sirisë dhe është zotuar se do ta mbrojë pakicën druzi në këtë pjesë të vendit nga sulmet, pasi u nxit edhe nga thirrjet e pakicës druzi brenda vetë Izraelit.
Ndërkohë, SHBA-ja tha se luftimet do të ndalen së shpejti.
“Jemi pajtuar për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj gjendje situatë shqetësuese dhe të tmerrshme sonte”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të mërkurën mbrëma.
Të mërkurën, zyrtarë të Qeverisë siriane dhe udhëheqës të pakicës fetare druzi shpallën një armëpushim të ri pas luftimeve disaditore.
Autokolonat e forcave qeveritare filluan të tërhiqen nga qyteti i Suveidës, por nuk është ende e qartë nëse marrëveshja e re e shpallur nga Ministria e Brendshme e Sirisë dhe nga një udhëheqës fetar druzi përmes një video-mesazhi do të zbatohet.
Një armëpushim i mëparshëm i shpallur një ditë më parë dështoi shumë shpejt.
Sulmet izraelite vazhduan edhe pas shpalljes së armëpushimit.
Forcat qeveritare që ndërhynë për të rivendosur rendin u përplasën më pas me forcat druzi.
/rtsh.al/