E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi takohet me zëvendëssekretaren amerikane të shtetit, Wendy Sherman

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi  u takua të hënën me zëvendëssekretaren amerikane të Shtetit Wendy Sherman në Tianjin të Kinës Veriore, njofton CRI.

Wang tha ndër të tjera gjatë këtij takimi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të sfidojnë, të përbaltin apo edhe të përpiqen të minojnë rrugën dhe sistemin e socializmit me karakteristika kineze. Rruga dhe sistemi i Kinës, të zgjedhur nga historia dhe populli kinez, janë çështje të mirëqenies dhe të së ardhmes së popullit, si dhe interesa thelbësorë që Kina duhet t’i ndjekë me vendosmëri, shtoi ai.

Së dyti, ShBA-ja nuk duhet të përpiqet të pengojë ose të ndërpresë procesin e zhvillimit të Kinës. Populli kinez ka të drejtë të bëjë një jetë më të mirë dhe Kina ka të drejtë të modernizohet, theksoi Wang, duke kërkuar që ShBA-ja të heqë të gjitha sanksionet e njëanshme, tarifat e larta dhe bllokadën e teknologjisë që i ka vendosur Kinës sa më shpejt të jetë e mundur.

Kërkesa e tretë e Kinës është që Shtetet e Bashkuara të mos shkelin sovranitetin kombëtar e të mos dëmtojnë integritetin territorial të Kinës, theksoi kreu i diplomacisë kineze, duke iu referuar çështjeve lidhur me Xinjiang-un, Tibetin, Hong-Kongun dhe Tajvanin e Kinës. Këto çështje nuk kanë pasur kurrë lidhje me “të drejtat e njeriut” ose “demokracinë”, por me “pavarësinë” e Xinjiang-ut, Tibetit dhe Hong-Kongut. Asnjë vend nuk mund të lejojë që sovraniteti dhe siguria e tij kombëtare të cenohen.


Duke ritheksuar angazhimin e Kinës në rrugën e zhvillimit paqësor dhe për një strategji të hapur të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, Wang siguroi se Kina është e gatshme të realizojë zhvillimin dhe begatinë e përbashkët me të gjitha vendet, duke përfshirë ShBA-në . “Zhvillimi i Kinës ka për qëllim kërkimin e lumturisë për të gjithë kinezët, e jo të sfidojë ose zëvendësojë ShBA-të. Ne nuk kemi asnjë interes në fitoren apo humbjen e palës amerikane. Zhvillimi i Kinës nuk bazohet në parakushtin e rënies së ShBA-së,” u shpreh Wang.

Duke vënë në dukje se Kina dhe ShBA-ja, si përkatësisht vendi më i madh në zhvillim dhe vendi më i madh i zhvilluar në botë, nuk mund të zëvendësojnë ose të mposhtin njëra-tjetrën, Wang bëri thirrje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut.

Sherman, nga ana e saj, e pranoi se marrëdhëniet kino-amerikane janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë. Pala amerikane është e gatshme të vazhdojë diskutimet e sinqerta me Kinën, theksoi ajo, duke shtuar se ShBA-ja shpreson që të dy vendet të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore.

Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit përsëriti se ShBA-ja nuk ka ndër mend të kufizojë zhvillimin e Kinës e as të përmbajë Kinën, dhe theksoi se e sheh me kënaqësi zhvillimin e Kinës.

Znj. Sherman bëri thirrje për konkurrencë të shëndetshme midis të dy palëve dhe sugjeroi që ato të bashkëpunojnë për ndryshimin e klimës, kontrollin e drogës dhe çështjet e nxehta ndërkombëtare dhe rajonale.

Si dy vende të mëdha, ShBA-ja dhe Kina mund të komunikojnë dhe të diskutojnë në një mënyrë të përgjegjshme edhe nëse kanë dallime, vuri në dukje numri dy i diplomacisë amerikane, duke shpresuar që të dy palët të ndërmarrin veprime të përbashkëta për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre.
Siç shkruan CRI ,Sherman ritheksoi se ShBA-ja respekton parimin e “Një Kine” dhe nuk e mbështet “pavarësinë e Tajvanit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›