Ministria e Bujqësisë, vijon vaksinimi falas në blegtori

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se po vijon procesi i vaksinimit falas, për kafshët bujqësore, nga Shërbimi Veterinar.
Për vitin 2024, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka marrë në dorëzim dhe shpërndarë në Drejtoritë Rajonale Elbasan, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë 131 000 doza vaksinash kundër sëmundjes së plasjes (Anthrax).
Sipas MBZHR-së, në zonat ku ka pasur raste, po realizohet gjurmimi i tuberkulozit. Në të gjithë krerët e gjedhit në të gjithë vendin, janë realizuar dy faza të gjurmimit të brucelozës dhe gjatë muajit nëntor po zhvillohet dhe faza e tretë me dërgimin e kampioneve në laborator.
Gjithashtu janë shpërndarë 300 000 doza vaksinash REV-1 (ocurev) për të aplikuar për imunizimin ndaj sëmundjes së brucelozës në ruminantët e vegjël: dhen e dhi.
MBZHR njofton se, është në proces administrimi i profilaksisë veterinare për të dyja sëmundjet, me ecuri si më poshtë: 45,3 % e totalit, me vaksinimin e të gjitha kafshëve bujqësore në vatrat e plasjes dhe 1400 doza vaksinash REV-1 në të imta, në rang vendi.
Gjurmimi TBC në rang kombëtar deri tani është realizuar në 49 189 krerë.
/r.e/a.f/