E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë: Deklaratat e Ina Ramës, emocionale

Share

Ashpërsohet beteja mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për rastin e dënimit të Konstandin Xhuvanit me dy vite burg për vrasje. Në një njoftim për shtyp, Ministria e Drejtësisë thotë se inspektimi që ka bërë ka qenë i ligjshëm. Ministria thotë se inspektimi ka përfunduar para pesë muajsh dhe rezultatet i janë dërguar Presidentit dhe Prokurorisë.

Ministria në shkresat drejtuar institucioneve e ka bërë te qartë, se kompetencat kushtetuese të tyre, në gjëndjen në të cilën ndodhet çështja, ku prokurori nuk e ka ankimuar vendimin e shkallës se parë, nuk e ndryshojne dot fatin e politikës penale të ndjekur, por ngrinte nje shqetesim publik për rastin e mësipërm duke kërkuar përballjen e prokurorëve me ligjin, si shenjë përgjegjshmërie, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria vijon duke theksuar se kontrollit i është nënshtruar edhe gjyqtari. Ministria e Drejtesise ka ushtruar kontroll edhe në veprimtarinë proceduriale të gjyqtarit të shkallës së parë, në përputhje me nenin 6, pikat 7, 8, 9, 10 të ligjit nr. 8678, datë 14.05. 2001 Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë, i ndryshuar,  me nenin 31 të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë dhe me nenin 31 të ligjit 8811, datë 17.05.2001 Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i ndryshuar, disa ditë pasi gjyqtari kishte dhënë vendimin e tij përfundimtar mbi cështjen dhe kishte pranuar kërkesat e prokurorisë, thekson deklarata.

Ministria i kërkon Prokurorisë të qëndrojë larg deklaratave emocionale. Ministria e Drejtësisë shpreh bindjen se Prokurori i Përgjithshëm do të ushtrojë të gjitha kompetencat ligjore dhe kushtetuese, pasi të lexoje me vemendje 30 faqet e Raportit të inspektimit, faktet dhe gjithë përshkrimin ligjor të dispozitave dhe se do të qëndrojë larg cdo deklarimi emocional që nuk ka lidhje me ushtrimin e një detyrë kaq shumë të rëndësishme për gjithe sistemin e drejtesisë në vend si  Autoriteti më i lartë në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykim, në kuptimin e nenit 8 të ligjit  Nr.8737, datë 12.2.2001 Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›