GRECO: Shqipëria duhet të dënojë ministrat e korruptuar. Gjykatat nuk funksionojnë
Drago Kos, kreu i Grupit të Shteteve të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit, që njihet ndryshe me emrin GRECO, shprehet se në Shqipëri, ministrat dhe zyrtarët e tjerë të akuzuar për korrupsion, duhet të dënohen.
Sipas tij, në Shqipëri është pozitive që prokuroria e ka bërë punën e vet, duke çuar para drejtësisë një sërë ministrash. Por, sipas tij, problemi mbetet tek gjykata.
Mund të konsideroheni me fat që ata të paktën janë akuzuar, janë ndjekur, janë hetuar, pasi ka shumë vende të rajonit që as nuk do të guxonin të dërgonin në gjyq një politikan të lartë.
Kjo tregon se sistemi në Shqipëri funksionon të paktën në nivelin e hetimit, dhe tashmë ju duhet vetëm të bëni edhe një hap shtesë. Ndërkohë që vende të tjera duhet të bëjnë shumë më tepër hapa. Por, nuk duhet të kënaqeni me kaq. Ju duhet të kënaqeni kur ata të përfundojnë në gjyq dhe kur sigurisht gjykata do bëjë punën e saj, ka thënë ai në një intervistë për TCH.