E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë i dërgon Francës kërkesën për ekstradimin e Ermal Beqirajt

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se, në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze, i ka përcjellë autoriteteve kompetente franceze kërkesën për ekstradimin e shtetasit Ermal Beqiraj.

Sipas njoftimit, kërkesa është dërguar mbi bazën e materialeve të përcjella nga organi procedues, së bashku me dokumentacionin përkatës.

Ministria thekson se vijimi i procedurës së ekstradimit do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin e Republikës Franceze dhe instrumentet ndërkombëtare në fuqi.

“Ministria e Drejtësisë do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj në këtë procedurë, në përputhje me ligjin dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Ministria ka sqaruar gjithashtu procedurën që ndiqet për ekstradimet, duke bërë me dije se procesi nis pasi autoritetet kompetente informojnë për lokalizimin ose arrestimin e një personi në një shtet të huaj dhe për afatin brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa formale për ekstradim.

Sipas procedurës, prokuroria kompetente i paraqet Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim të shoqëruar me dokumentacionin procedural, ndërsa strukturat përgjegjëse të ministrisë verifikojnë dokumentet dhe kryejnë përkthimin e tyre në gjuhën e shtetit të kërkuar ose në gjuhën e përcaktuar nga instrumentet ndërkombëtare.

Pas përgatitjes së dosjes, ministri i Drejtësisë nënshkruan kërkesën për arrestim provizor, kur është e nevojshme, dhe/ose kërkesën për ekstradim, e cila u dërgohet autoriteteve të shtetit të kërkuar në rrugë diplomatike. Për të përshpejtuar procedurat, dokumentacioni mund të transmetohet paralelisht edhe në rrugë elektronike ndërmjet autoriteteve kompetente.

Ministria sqaron se kërkesa për ekstradim mbështetet në kërkesën e prokurorisë kompetente, në legjislacionin shqiptar, përfshirë Kodin e Procedurës Penale, ligjin për juridiksionin në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme.

Po ashtu, bëhet e ditur se afati për paraqitjen e kërkesës formale dhe dokumentacionit përcaktohet nga konventat ndërkombëtare, veçanërisht nga Konventa Evropiane për Ekstradimin, e cila parashikon afatet përkatëse pas arrestimit ose ndalimit provizor. Ministria e Drejtësisë siguron dërgimin e kërkesës brenda afateve ligjore dhe ndjek komunikimin me autoritetet e shtetit të kërkuar deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›