Nëntë drejtues mjetesh në Elbasan procedohen për drejtim të gjendje të dehur, mbi 1700 gjoba në një javë

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Policia Rrugore e Elbasanit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane dhe interurbane të qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve, evidentimin e shkeljeve të Kodit Rrugor dhe rritjen e sigurisë në qarkullim.
Sipas njoftimit të Policisë së Elbasanit, gjatë kontrolleve të zhvilluara në periudhën 27 korrik–2 gusht 2026, janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të gjitha për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Nga këto raste, 3 drejtues mjetesh janë arrestuar, ndërsa 6 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Gjatë kësaj periudhe, Policia Rrugore ka vendosur gjithsej 1787 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.
Nga kontrollet rezultojnë:
- 301 masa për parakalime të gabuara;
- 1000 masa për tejkalim të shpejtësisë së lejuar;
- 32 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
- 14 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
- 85 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit;
- 58 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
- 297 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Gjithashtu, gjatë javës janë pezulluar 3 leje drejtimi për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore e Elbasanit bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut, me fokus parandalimin e aksidenteve, rritjen e sigurisë rrugore dhe ndëshkimin e drejtuesve që shkelin rregullat e qarkullimit.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit dhe të përdorin pajisjet e sigurisë, duke garantuar mbrojtjen e jetës së tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit në numrin pa pagesë 112.
/a.f/r.e/