E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Jashtme: Gati të mbështesim SHBA-të dhe NATO-n për sulmin në Siri. Berisha: Të tejkalohet veto e Rusisë

salaPas tërheqjes së Britanisë nga sulmet kundër qeverisë së Asad në Siri, SHBA dhe NATO duhet të ndihen të qetë! Ministria e Jashtme shqiptare ka siguruar SHBA-të dhe NATO-n, se do të mbështesë sulmet ushtarake ndaj Sirisë.

Duke ndjekur me shqetësim situatën në Siri, Shqipëria, ashtu siç është thënë edhe në deklaratën e kryeministrit, më datë 27 gusht 2013, ka qenë dhe mbetet e gatshme të mbështesë politikisht, por dhe me të gjitha mundësitë, si vend anëtar i NATO-s, SHBA-të dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut, në çdo veprim që duhet të ndërmerret për ti dhënë fund masakrimit të popullsisë siriane dhe mbështetur opozitën siriane në ndërtimin e një Sirie të lirë dhe demokratike.

Të dhënat e fundit të bëra publike nga Sekretari amerikan, John Kerry, që dëshmojnë me fakte të pakundërshtueshme përdorimin e armëve kimike kundër popullsisë së pafajshme civile, nga regjimi kriminal sirian, duhet të vënë në lëvizje komunitetin ndërkombëtar që të marrë masa të menjëhershme dhe të vendosura ndaj këtyre veprimeve të tilla barbare, të cilësuara si krime kundër njerëzimit, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.

Berisha: Të tejkalohet veto e Rusisë

Edhe kryeministri në ikje, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me situatën në Siri. Ai ka kërkuar ndëshkim shembullor për atë që e cilësoi si Sadamin e ri. Sipas Berishës, duhet tejkaluar veto e Rusisë dhe Kinës në OKB dhe të nisë sulmi.

Të dashur miq, deri sa të përdoret veto në Keshillin e Sigurimit për të mbrojtur regjime kasapesh ndaj kombeve të tyre, rruga e vetme për të mbrojtur OKB-në dhe Kartën e saj universale është tejkalimi i vetos së KS-së, ndëshkimi shembullor i atyre që kryejne krimë kundër njerëzimit, genocide me armë të shfarosjes në masë apo mjete të tjera.

Siç faktojnë prova shumë të qarta, diktatori sirian al-Asad, ka përdorur gazin nervin dhe ka helmuar për vdekje mbi 1400 femijë, gra, burra, civilë të pambrojtur në lagjet e Damaskut. Në mungesë të ndëshkimit të tij, OKB me Këshillin e Sigurimit të saj do të shndërrohej në mburojë botërore të regjimeve mizore diktatoriale.

Prandaj, ne besojme se SHBA, si vendi me përgjegjësi kryesore për paqen dhe sigurinë në botë, por edhe vendet e tjera të lira, kanë të drejtë dhe duhet të vendosin vlerat universale të mishëruara në Kushtetutat e tyre dhe Kartën universale të OKB-së mbi veton arbitrare të KS dhe t’i japin vendosmërisht ndëshkimin e merituar regjimit të Sadamit të ri, që përdori gazin kundër qytetareve të vet, shkruan Berisha në Facebook.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›