E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mbrojtjes: Lajmi për Pecin, gëzuam familjarët dhe shqiptarët

TIRANE- Ministria e Mbrojtjes sqaroi sot se lajmi për fatin e nentetar Aleksandër Peci, u mor në rrugë zyrtare nga autoritetet komanduese të ISAF dhe iu përcollën menjëherë publikut.
Gjenerali Brigade, Viktor Berdo Komandant i Forces Tokësore bëri të ditur në një njoftim shtypi se, lajmi qe nëntetar Peci është gjallë gëzoi familjarët dhe jo vetëm ata.

“Pas lajmeve tronditëse për fatin e Nëntetar Aleksandër Peci, lajme të cilat u morën në rrugë zyrtare nga autoritetet komanduese të ISAF dhe iu përcollën menjëherë publikut, njoftimet e mbrëmjes së djeshme që konfirmonin se Nëntetar Peci ishte në jetë kanë lehtësuar gjendjen emocionale të familjarëve të tij, ashtu sikundër janë pritur me gëzim të madh nga Forcat e Armatosura dhe nga gjithë shqiptarët” theksoi Gjenerali Brigade, Viktor Berdo Komandant i Forces Tokesore.

Përveç këtij lajmi, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA në interes të plotësimit të mëtejshëm të informacioneve të dhëna për publikun përmes komunikimeve të mëparshme, bëjnë me dije kohën dhe mënyrën sesi morën informacionet e para rreth vrasjes sdhe plagosjes së komandove shqiptare në Afganistan.
“Më datën 20. 02. 2012 në orën 16. 30 sipas orës lokale të Kandaharit, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin SHADIZI ROBAT në afërsi të Bazës Ushtarake në SPIN BOLDAK, Grupi i Parë Special i Kontingjentit EAGLE 4, që vepron në kuadër të operacionit ISAF, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane. Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të Policisë Afgane të përfshirë në ngjarje.

Nga strukturat operacionale të NATO-s janë marrë masa të menjëhershme për evekuimin mjekësor ajror të të tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti Vogli nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit. Në orën 20:49 sipas orës lokale, ose orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar humbjen e jetës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në spital për ushtarakun e dytë shqiptar.

Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës18:30 të datës 20. 02. 2012, pasi ishin njoftuar më parë familjet e ushtarakëve. Në orën 22:34 sipas orës lokale, ose orës 19:04 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar se Nëntetar Aleksandër Peci kishte përballuar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale dhe ishte në jetë. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës 20:30 të datës 20. 02. 2012. pasi ishte njoftuar më parë familja e Nëntetar Aleksandër Pecit.

Rreth orës 23.00 të datës 20. 02. 2012 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA ka njoftuar publikun përmes një komunikate tjetër në të cilën i është përcjellë publikut lajmi për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Nëntetar Aleksander Pecit, pasi ishte njoftuar më parë familja e tij”,- nënvizoi se gjenerali.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›