E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vogli shpallet Dëshmor i Atdheut, arrestohen 11 atentatorët

Tiranë- Komandanti shqiptar Feti Vogli që u vra dje në krye të detyrës në Afganistan, në zonën e Kandaharit, shpallet Dëshmor i Atdheut, ndërsa funerali i tij do të jetë me protokoll shtetëror. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi për shtyp.

Lidhur me procedurat për ceremoninë e varrimit të kapiten Voglit është ngritur komisioni për ceremoninë në Ministrinë e Mbrojtjes. Atij i është dhënë statusi Dëshmor i Atdheut dhe varrimi do të bëhet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Lidhur me kohën dhe detajet e tjera të ceremonisë shtetërore do të ketë komunikime pasi të jetë njoftuar koha e mbërritjes së trupit të tij në atdhe- thuhet në njoftimin e MB-së.

Vogli ishte pjesë e kontigjentit Eagle 4 të forcave paqëruajtëse në Afganistan, dhe u vra dje nga persona që ishin veshur me uniformën e policisë afgane.

Ndërkaq Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se janë arrestuar 11 atentatorët, duke përshkruar edhe itenerarin  e ngjarjes së djeshme.

Në orën 16:30 të datës 20 shkurt 2012, gjatë një inspektimi në fshatin Robot, grupi i parë i kontigjentit Eagle 4 ka rënë në zjarrin e furishëm të një efektivi të policisë afgane. Si pasojë kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një i huaj. Ndërsa ushtarët e tjerë kanë arrestuar 11 atentatorët. Menjëherë pas ngjarjes, komanda e NATO-s ka marrë masa për dërgimin e ushtarëve në spital, por komandant Feti Vogli nuk u ka mbijetuar plagëve. Në orën 17:10 është komunikuar vdekja e tij, ndërsa në orën 22:34, sipas orës lokale, ose 19:34 sipas orës tonë, oficerët shqiptarë kanë raportuar se komandoja Aleksandër Peçi i ka mbijetuar me sukses operacionit, duke përgënjeshtruar lajmin e parë se edhe ai kishte vdekur. Rreth orës 23, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë njoftuar publikun me një komunikatë tjetër, ku njoftohej se gjendja e Peçit ishte përmirësuar. Lidhur me procedurat për ceremoninë e varrimit të kapiten Feti Voglit është ngritur grupi i punës në Ministrinë e Mbrojtjes. Kapiten Voglit i është akorduar vlerësim Dëshmor i Atdheut, që do ti jepet gjatë ceremonisë së varrimit në varrezat Dëshmorët e Kombit- deklarojnë burime nga MB-ja.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Vrasja e komandos, Topi mesazh ngushëllimi familjës Vogli Menjëherë pas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes mbi vrasjen e...
  2. Pasuesi i Kim Jong-il, shpallet komandant suprem Kore e Veriut- Kim Jong Un, trashëgimtari i liderit të...
  3. Ish-presidenti francez Shirak shpallet fajtor, abuzoi me fondet e bashkisë Francë- Një gjykatë Francë dënoi ish-presidentin Zhak Shirak me dy...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›