E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Punës miraton protokollin për fëmijët e trafikuar

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në bashkëpunim me UNICEF dhe Fondacionin Terre des hommes, ka prezantuar sot Protokollin e Punës së Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili udhëheq punën e këtyre

Punonjësve dhe profesionistëve të tjerë mbi çfarë duhet bërë ne lidhje me çështje të mbrojtjes së fëmijëve nga forma të ndryshme abuzimi, lënie pas dore, shfrytëzimi dhe trafikimi. Protokolli i iniciuar nga Ministria e Punës në bashkëpunim me operatorë të tjerë OJF, e organizata që merren me trajtimin e fëmijëve të trafikuar e të shfrytëzuar. Protokolli ka për qëllim të ndihmojë punonjësit e njësive për mbrojtjen e fëmijëve dhe të gjithë aktorët e përfshirë të kuptojnë se çfarë përbën mbrojtja e fëmijëve, të krijojnë praktika të punës në ekipe shumë-disiplinore, të zbatojnë hap pas hapi një sistem të menaxhimit të rasteve për të identifikuar, kryer dhe shqyrtuar ndërhyrje mbrojtëse për fëmijët. Protokolli i Punës së Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve nuk i shërben vetëm Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve, por ai gjithashtu përbën një mjet për të ndihmuar të gjithë personat që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në veçanti personelin e qeverisjes vendore, arsimit, shëndetësisë, policisë dhe punonjësve të OJF-ve."Është një botim i rëndësishëm që paraqet bazën për një përkujdesje të mirë-organizuar dhe të vazhdueshme për fëmijët dhe njohjen e të drejtave dhe të detyrave që lindin në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve nga fenomene që cënojnë mirëqenien e tyre, me përkushtimin e të gjithë shoqërisë" thekson ministri i MPÇSShB  Spiro Ksera në parathënien e Protokollit. Aktualisht në Shqipëri janë ngritur 16 Njësi për Mbrojtjen e Fëmijëve, në 12 Bashki dhe 4 komuna, të cilat funksionojnë që nga viti 2006. Këto njësi kanë arritur të ofrojnë rezultate efektive në dhënien e ndihmës për fëmijët në nevojë dhe familjet e tyre. Protokolli i Punës se Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve do të ofrojë një qasje standarde në këto njësi dhe do të shërbejë si një model dhe udhëzues për bashkitë/ komunat e tjera të cilat do të krijojnë shërbime të ngjashme. Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve është një strukturë e Departamentit të Shërbimeve Sociale në Bashki, ku punon të paktën një punonjës social i specializuar dhe trajnuar në mënyrë specifike për mbrojtjen e fëmijës. Punonjësi për Mbrojtjen e Fëmijëve është përgjegjës për koordinimin dhe menaxhimin e të gjitha referimeve dhe rasteve të fëmijëve në rrezik të lartë ose viktima të dhunës, abuzimit, braktisjes, shfrytëzimit dhe trafikimit. Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve ofron shërbime parandaluese dhe mbrojtëse duke përfshirë ndërhyrje të drejtpërdrejta si këshillim dhe mbështetje familjare të fëmijëve në nevojë, të cilët janë të referuara ose që vijnë në kontakt me Njësinë. Roli i kësaj Njësie është të vlerësojë situatën dhe të koordinojë ndërhyrjet në interesin më të lartë të fëmijës, për të siguruar se fëmija të ketë mundësi të zhvillojë potencialin e tij / saj të plotë në përputhje me të drejtat e tij/saj. Puna e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve kryhet në bashkëpunim të ngushtë dhe ne ekipe shumë-disiplinare me aktorë si mësues, psikologë të shkollave, mjekë, oficerë të policisë dhe autoriteteve të ligjit. Fëmijët, prindërit, profesionistët dhe qytetarët mund t'i referohen kësaj Njësie kur bien ndesh me çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›