Ministria e Shëndetësisë: 13 të lënduar morën ndihmë mjekësore, 4 vijojnë ekzaminimet në Spitalin e Traumës

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë një përditësim të informacionit mbi personat e lënduar gjatë protestës së sotme në Tiranë, deri në orën 19:45.
Sipas të dhënave paraprake nga strukturat spitalore dhe poliklinikat, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 9 persona të lënduar, mes tyre 7 protestues dhe 2 përfaqësues të medias.
Njëri prej protestuesve ka pësuar dëmtim në sy dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pesë nga të lënduarit kanë lënë spitalin pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm, ndërsa 4 protestues vijojnë ekzaminimet dhe trajtimin.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur një protestues dhe një efektiv policie. Të dy kanë lënë spitalin pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.
Ndërsa, në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 2 në Tiranë janë paraqitur 2 efektivë policie, të lënduar në sy. Ata kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e poliklinikës.
/gj.m/r.e/