Ministria e Turizmit finalizon Programin për Rijetëzimin e Kullave- 64 monumente kulture në fokus, Gonxhja: Investime konkrete deri në 2027

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me GIZ dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), po finalizon Programin Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave, me synimin që brenda vitit 2027 të kalohet nga faza e evidentimit dhe projektimit në investime konkrete.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili ka ndarë edhe të dhënat mbi punën e kryer deri tani.
Ministri deklaron se në kuadër të programit janë trajtuar 697 raste pronësie në qarqet Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Kukës, ndërsa janë hartuar 28 projekte konceptuale restaurimi në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës.
Sakaq në fokus të prioritizimit janë 64 kulla me status Monument Kulture, të cilat synohet të restaurohen dhe të rijetëzohen përmes funksioneve të reja.
Ministri shprehet se sipas projektit, kullat do të restaurohen dhe rijetëzohen me funksione të reja si bujtina, agroturizme, muze dhe qendra mikpritjeje, duke ruajtur trashëgiminë e vendit e duke krijuar mundësi të reja për ekonominë dhe turizmin lokal
Programi synon që kullat tradicionale të Veriut të mos mbeten vetëm dëshmi të së kaluarës, por të kthehen në asete të gjalla dhe burime të reja zhvillimi për komunitetet lokale.
“Nga kujtesa historike, në asete të gjalla të zhvillimit të Veriut”, thekson ministri.