Ministrja Koçiu: Po punojmë për binjakëzimin midis Spitalit Kuçovë me Spitalin e Beratit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se pas Qendrës së parë Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, po punojnë për të ngritur një tjetër model ekselent binjakëzimi midis Spitalit Bashkiak Kuçovë me Spitalin Rajonal të Beratit për të ofruar shërbime të specializuara pranë vendbanimit.
Gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Beratit, ministrja u shpreh se ky spital ofron shërbim për 120 mijë banorët e qarkut dhe rreth 700 mijë turistëve që e zgjedhin Beratin si destinacionin e pushimeve të tyre.
“Një plan tjetër është edhe krijimi i asaj qendrës së dytë spitalore rajonale Berat Kuçovë. Siç bëmë “Shefqet Ndroqin” me Kavajën, të bëjmë Beratin me Kuçovën për të optimizuar shërbimet, për të optimizuar kostot dhe për të shërbyer për të gjithë zonën me të gjitha kapacitetet. Ky është projekti i radhës i cili pa diskutim do duhet të shoqërohet me një investim në infrastrukturë, këtu dhe në pajisje”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë.
Gjithashtu, ministrja Koçiu bëri me dije se në këtë spital për herë të parë ka nisur këtë vit realizimi i analizave histopatologjike dhe imunohistokimike në laboratorin e anatomisë patologjike.
“Në fokus të punës sonë të përditshme janë qytetarët dhe realizimi i plotë i gamës së analizave për qytetarët në të gjitha strukturat spitalore në vend”, është shprehur ajo.
Me një kapacitet prej 262 shtretër, në Spitalin Rajonal të Beratit ofrohen shërbime në patologji, Klinika e Sëmundjeve Infektive, Kujdesit Paliativ, në kirurgji, klinika ORL-Okulistikë, shërbimi i Terapisë Intensive, i Pediatrisë së Përgjithshme, Infektive dhe Terapisë Intensive të Pediatrisë, shërbimi i Obstetrikë-Gjinekologjisë, Klinika e Neonatologjisë, urgjenca, Poliklinika e Specialiteteve, Kabineti i Sëmundjeve të Mushkërisë (ANTI) si dhe gama e analizave së bashku me shërbimin e imazherisë.
/rtsh.al/