Ministrja Koçiu: Profesionistët e rinj, garanci për sistemin shëndetësor!

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi një takim me brezin e mjekëve të rinj. Ajo i clësoi ata si garancinë dhe forcën kryesore për të larguar hijet e shëmtuara në trupën shëndetësore, pas ngjarjeve në Spitalin Onkologjik.
“Këta mjekë të rinj janë garancia dhe forca kryesore për të larguar me çiltërsinë e shpirtit të tyre dhe bardhësinë e bluzave të bardha që do të veshin nesër, hijet e shëmtuara që nuk mund dhe nuk do të munden kurrsesi të zhbëjnë atë punë, kontribut dhe sakrificë të jashtëzakonshme profesionale dhe dinjitoze që paraardhësit e tyre kanë dhënë dhe japin në çdo fushë të shëndetësisë në shërbim të qytetarëve dhe qëllimit madhor të shpëtimit dhe mbrojtjes së jetës së tyre”.
Ministrja Koçiu garantoi se “Punë dhe nder” do të jetë deviza e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ajo u bëri thirrje mjekëve të rinj të mos harrojnë që një profesionist i mirë në thelb duhet të jetë një njeri i mirë.
“Sidomos tek ju, tek profesioni i mjekut, të jesh njeri i mirë do të thotë të jesh humanist, altruist, të jesh përtej interesit personal, të shikosh dhe prevalosh te interesi i përgjithshëm, tek interesi publik. Keni peshën e përgjegjësisë shumë të madhe mbi supe, përveçse shpëtimit të jetës së njerëzve, edhe për t’u bërë modele të mirë të qytetarëve të mirë të këtij vendi ” tha ministrja Koçiu.
/ rtsh.al /