E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Sala i përgjigjet Braçes për shërbimin ambulant: Rikonstruksioni i Qëndrës Shëndetësore nr. 8, prioritet për vitin 2026

Në seancën e sotme plenare në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe i drejtoi ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, shqetësimin lidhur me qendrën shëndetësore numër 8, e cila shërbente për banorët e zonës së rrugës “Irfan Tomini.

Braçe theksoi se kjo qendër shëndetësore ishte mbyllur dhe kërkoi nga ministrja Sala informacion mbi kohën kur do të rikthehet shërbimi shëndetësor për qytetarët që jetojnë në këtë lagje.

Ministrja Sala sqaroi se mbyllja e kësaj qendre shëndetësore ka ardhur si rezultat i rekomandimit të akt-ekspertizës teknike, të kryer nga Instituti i Ndërtimit, sipas së cilës godina nuk garantonte kushtet minimale të sigurisë për vijimin e aktivitetit shëndetësor.

“Dua të theksoj qartë se pezullimi i aktivitetit në ambientin ekzistues të kësaj qendre shëndetësore ka qenë rezultat i rekomandimit të akt-ekspertizës teknike, të kryer nga Instituti i Ndërtimit, si institucioni përgjegjës për vlerësimin e sigurisë strukturore të objekteve publike. Sipas kësaj ekspertize, godina e Qendrës Shëndetësore nr. 8 në rrugën “Irfan Tomini” nuk garanton kushtet minimale të sigurisë për vijimin e aktivitetit shëndetësor, ndaj është rekomanduar ndërprerja e menjëhershme, e përkohshme, e shërbimeve në këtë ambient dhe rifillimi i tyre vetëm pas marrjes së masave përkatëse teknike dhe ndërtimore. Biem të gjithë dakord se siguria strukturore është parakushti themelor për ofrimin e shërbimit shëndetësor publik”, tha Ministrja.

Ministrja thekson se megjithatë komunitetit i është garantuar vazhdimësia e shërbimit shëndetësor, pasi që prej muajit shtator të viti të kaluar, banorët të cilët mbuloheshin nga kjo qendër shëndetësore, janë transferuar në mënyrë të përkohshme në qendrën ambulatore “Vasil Shanto”.

“Që prej muajit shtator 2025, të gjitha shërbimet për banorët të cilët mbuloheshin nga Qendra Shëndetësore nr. 8/3 janë transferuar në mënyrë të përkohshme dhe ofrohen pa ndërprerje, në qendrën ambulatore “Vasil Shanto”, me kapacitete të plota mjekësore dhe infermierore. Ofrimi i shërbimit u transferua vetëm 850 m më larg, qendër ku ishte planifikuar konsultori i nënës dhe fëmijës. Ky proces transferimi i përkohshëm është shoqëruar me: njoftim paraprak zyrtar të pacientëve, me telefon për të gjithë të sëmurët kronikë, afishim të informacionit në hyrje të godinës. Të dhënat e agreguara që reflektojnë vijueshmërinë e shërbimit shëndetësor, tregojnë se vizitat mjekësore, shërbimet për fëmijët dhe të rriturit, si dhe procedurat infermierore kanë vijuar pa rënie të volumit apo të cilësisë së shërbimit”, deklaron ajo.

Ministrja shton se rikonstruksioni i kësaj qendre shëndetësore është një nga prioritete për vitin 2026

“Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka punuar paralelisht për identifikimin e zgjidhjeve alternative pranë zonës në fjalë. Megjithatë, asnjë prej ambienteve të identifikuara nuk ka përmbushur kriteret për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Zgjidhje afatgjatë dhe e qëndrueshme nuk është improvizimi, por ndërhyrja strukturore dhe konstruksioni i godinës ekzistuese. Në këtë kuadër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e ka përcaktuar QSH nr 8/3 si një nga qendrat prioritare për rikonstruksion në vitin 2026. Sigurisht, do kemi rastin në muajt në vijim që t’u bëjmë me dije zhvillimet që do kemi në dobi të sistemit tonë shëndetësor dhe nevojave të qytetarëve”, theksoi ministrja Sala.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›