Tensionet në Kuvend, deputeti socialist Erion Mile: Opozita krijon tension artificial dhe bllokon punën e Parlamentit

Deputeti socialist i qarkut Fier, njëherësh dhe sekretari i grupit parlamentar të PS, Erion Mile, deklaroi në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH se opozita po përpiqet të krijojë tension artificial në Kuvend, pas një proteste që sipas tij rezultoi e dështuar dhe e shoqëruar me akte dhune.
Duke komentuar tensionet në seancën plenare të sotme, deputeti Mile u shpreh se përpjekja e opozitës për të ngritur një frymë popullore nuk funksionoi dhe se ky dështim u reflektua edhe në sjelljen e saj në sallën e Kuvendit.
Deputeti tha se Partia Demokratike po krijon zhurmë në parlament për të bllokuar rendin e ditës, në një kohë kur, sipas tij, Kuvendi ka një ngarkesë të madhe pune për shkak të procesit të integrimit.
“Opozita erdhi pas një proteste të dështuar, një përpjekje për të ngritur një frymë popullore po nuk funksionoi dhe më keq akoma përfundoi në akte dhune dhe ai dështim opozitar u përcoll edhe ën sollën e Kuvendit. Kushdo e kupton se ajo është një tension artificial që PD e sjell në sallën e Kuvendit, u mundua gjatë gjithë kohës për të krijuar zhurmë duke shfrytëzuar nenin për replikën. Është e turpshme që të gjithë bëhen manjeta të liderit të opozitës duke i vajtur nga pas për një aksion opozitar që nuk po ndez më dhe ajo që kërkojnë është zhurma dhe dalja e rendi i ditës vetëm për të bllokuar punën në parlament. Nuk ka më frymë opozitar dhe ka vetëm një përçapje të militantëve për të bërë zhurmë”, u shpreh Mile.
Ai theksoi se opozita i ka hapësirat e saj në Komisionin e Reformës Territoriale dhe atë Zgjedhore, si dhe mundësi të plota për bashkëpunim, por sipas tij, është vetë opozita që krijon tensioneve artificiale.
“Ata e kanë vendin e tyre në Komisionin e Territoriales dhe Zgjedhores dhe nga ne i kanë të gjitha hapësirat për të bashkëpunuar por problemi i opozitës i vjen nga vetja e vetë pasi nuk kanë alternativa. E vetmja zgjidhje që u ka ngelur është dhuna dhe krijimi i tensioneve artificiale. Opozita ka ngelur në dorë të humorit të një njeriu”, tha ai.
Duke folur për procesin e integrimit europian, Mile nënvizoi se vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme që kërkon angazhim maksimal nga Parlamenti. Ai tha se çdo projektligj diskutohet në komisione dhe se opozita ka hapësirë për të propozuar ndryshime, duke e cilësuar si “fabul” pretendimin se nuk ka mundësi për debat.
“Ne jemi në një proces të rëndësishëm të integrimit dhe kërkon shumë punë nga Parlamenti. Çdo projektligj vjen dhe diskutohet në komisione dhe çdokush ka hapësirën për të debatuar dhe propozuar ndryshime, por deklarata e opozitës se nuk kanë hapësirën e duhur është një fabul. Në atë që transmeton opozita, në asnjë retorika që bënë ajo nuk kanë të bëjnë fare me procesin e integrimit. Procesi i integrimit ka vëmendjen dhe punën maksimale nga mazhoranca”, u shpreh deputeti.
/rtsh.al/