E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Sala prezanton projektligjin për produktet biocide: Vendos në qendër sigurinë e qytetarëve. Harmonizim me standardet e BE

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka prezantuar në Kuvend projektligjin e ri për produktet biocide, një nismë që synon të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe të vendosë Shqipërinë në të njëjtin standard me Bashkimin Europian, siç tha ajo. Sipas Ministres, edhe pse bëhet fjalë për një paketë teknike, ligji prek drejtpërdrejt jetën e përditshme, pasi produktet biocidet përdoren në spitale, në shtëpi, në industrinë ushqimore dhe në ambiente kolektive.

Ministrja theksoi se për më shumë se një dekadë vendi ka funksionuar me një kuadër të pjesshëm dhe jo të harmonizuar me legjislacionin europian, çka ka sjellë boshllëqe ligjore dhe mungesë transparence në kontrollin e këtyre produkteve.

“Duket një paketë e specializuar teknike, por ky ligj prek jetën e përditshme të qytetarëve, ky është ligj që vendos në qendër sigurinë e qytetarëve. Produktet biocide përdoren në spitale, shtëpitë tona, industrinë ushqimore ose ambientet kolektive. Për këtë arsye, standardet për to duhet të jenë të qarta, të unifikuara në mënyrë që mbrojtja e shëndetit publik të mos vijë në kurriz të sigurive të qytetarëve. Për më shumë se 10 vjet Shqipëria ka funksionuar me një kuadër ligjor të pjesshëm, jo plotësisht të harmonizuar me legjislacionin europian. Boshllëqet ligjore kanë sjellë një proces jo të strukturuar e transparent për të garantuar cilësinë e këtyre produkteve. Sot e mbyllim këtë boshllëk. Ky projektligje e vendos Shqipërinë në të njëjtin standard me BE, duke sjellë një model modern e të qëndrueshëm”, tha Sala.

Ajo paralajmëroi se produktet biocide nuk janë të zakonshme, pasi përmbajnë substanca aktive që mund të jenë të dëmshme nëse nuk kontrollohen siç duhet.

“Ky ligj është i domosdoshëm për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Produktet biocide nuk janë të zakonshme, pasi përmbajnë substanca aktive që mund të jenë të dëmshme kur nuk përdoren, apo kontrollohen siç duhen. Mungesa e kritereve të detyrueshëm krijonte mundësinë që në treg të depërtonin produkte të pasigurta. Me këtë ligj, çdo produkt i tillë do kalojë një proces të qartë vlerësimi”, theksoi Ministrja.

Risi e rëndësishme e nismës është krijimi i Regjistrit Kombëtar të Produkteve Biocide, ku qytetarët, bizneset dhe institucionet publike do të mund të verifikojnë nëse një produkt është i autorizuar.

“Për herë të parë sigurojmë që produktet biocide që do të tregtohen në Shqipëri janë të njëjta me ato që tregtohen në vendet e BE‑së,” tha ministrja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›