Shehaj: Nuk e shmangni dot daljen para drejtësisë, Balla: Po u pendua Basha do tregojë se sa para i ke dhënë për mandatin

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka replikuar ndaj kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas deklaratave të tij në sallën e Kuvendit.
Në replikën e tij, Balla shprehet se Shehaj përpiqet të marrë vëmendje përmes retorikës së tepruar:
“E dëgjoj shpesh këtë deputetin, që për t’u bërë interesant për rrjetin e tij social, bërtet. Dhe kujton se është interesant”, u shpreh Balla.
Kreu i grupit parlamentar i kujtoi akuzat që e lidhin me ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha.
“Se po u pendua Lul Basha do tregojë se sa para i ke dhënë për të marrë mandatin në 2017… Kujdes, se mos të bën të penduarin Luli”, tha Balla.
Deputeti Agron Shehaj, në parlament deklaroi se anëtarët e qeverisë nuk i shpëtojnë dot drejtësisë.
“Nuk keni ç’i bëni SPAK-ut. Rama kërcënon drejtësinë. Del Taulant Balla dhe thotë pyesni Chat Gtp. Nuk e shmangni dot daljen para drejtësisë, e keni të kotë. Bashkëpunoni me drejtësinë, sepse ju ka ardhur fundi”, tha Shehaj.
/gj.m/j.p/r.e/