E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministrja e Shëndetësisë zbulon prioritetet, Sala: Menaxhim më efikas dhe reforma në sistemin shëndetësor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala ishte e ftuara e radhës në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.

Në nisje të bisedës, Rama e prezantoi si një profesioniste me karrierë të gjatë ndërkombëtare, duke shtuar me humor se “karriera jote është shumë e gjatë, si fjalimet e mia.”

Gjatë diskutimit, kryeministri u ndal te sfidat dhe përparimet në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se profesionalizmi i mjekëve ka qenë faktori kryesor që e ka mbajtur sistemin në këmbë.

Nga ana e saj, ministrja Sala foli për përvojën e saj të parë në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe për objektivat që synon të realizojë.

“Në këto 3 javë jam munduar të shoh, të dëgjoj. Tani kam një informacion të paparë. Kam menduar dhe reformat që duhen bërë, jo vetëm brenda Ministrisë së Shëndetësisë, por në bashkëpunim me të tjera institucione,” tha ajo.

Sipas saj, ndërveprimi mes institucioneve është thelbësor për rezultate më të mira.

Sala theksoi nevojën për një menaxhim më efikas dhe për koordinim mes strukturës, profesionalizmit dhe organizimit të shërbimeve.

“Më pëlqen të ndërtoj një skuadër. Vetë nuk e bëj dot. Ajo që kam vënë re është që ka dëshirë. Njerëzit duhet t’i kuptosh dhe t’i vendosësh në pozicionin që kanë qejf të punojnë. Në momentin që motivohen, angazhohen dhe bëhen pjesë e suksesit,” u shpreh ministrja.

Në fokus të saj është përmirësimi i menaxhimit të shërbimeve, rritja e efikasitetit dhe garantimi i aksesit të barabartë për qytetarët.

Gjatë bisedës, ministrja theksoi se reformimi i thellë i mënyrës së financimit dhe menaxhimit të mjekësisë është një ndër synimet kryesore të saj, një proces që sipas saj, kërkon kohë, por do të ketë ndikim afatgjatë.

“Një nga gjerat kryesore që mendoj është reformimi i mënyrës së atij që sot quhet Fondi i
Sigurimit. Duhet të rregullohet mënyra se si menaxhohet mjekësia. Mjekësia ka kosto, është falas te qytetari, por nuk është falas, mjekësia kushton, por te qytetari paguhet nga shteti” u shpreh
ajo duke nënvizuar nevojën për reformimin e Fondit të Sigurimeve.

Një tjetër prioritet i saj është përmirësimi i trajtimit onkologjik dhe garantimi i aksesit të plotë në barnat e nevojshme.

“Kam edhe një lloj përgjegjësie personale. Ajo që është e prekshme është trajtimi onkologjik, aksesi i plotë na barnat onkologjike, por në një protokoll të caktuar. Duken gjëra të vogla, por nxisin pakënaqësi. Duhet të sjellësh shërbimin te pacienti, jo pacientin te shërbimi. Kam menduar organizimin e një qendre nacionale për kancerin,” tha Sala, duke shtuar se kjo është një përgjegjësi personale për të, pasi vjen nga fusha e onkologjisë.

Ministrja u ndal edhe te shërbimi primar, duke theksuar se nuk është normale që qytetarët të drejtohen në spital për çdo shqetësim.

Ajo foli për rëndësinë e zhvillimeve teknologjike dhe përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, duke kujtuar vështirësitë me të cilat përballeshin mjekët dikur.

“Kur mbaron mjekësinë, mendon se i di të gjitha, por në fakt nuk di asgjë. Sot kushtet janë më të mira, ndërsa dikur mjekët punonin me zemër, në kushte të kufizuara dhe me pak teknologji,” tha ajo.

Në vijim të bisedës, Kryeministri Rama u shpreh se “Duam të rrisim kapacitetin e menaxhimit të gjërave që kemi vendosur në pozicionet e duhura nga pikëpamja e infrastrukturës.”

Sala vlerësoi infrastrukturën spitalore në Shqipëri si një nga më të mirat krahasuar me vendet ku ka punuar, por theksoi se menaxhimi mbetet sfida më e madhe.

“Struktura, menaxhimi dhe profesionaliteti i mjekëve duhet të koordinohen,” tha ajo.

E pyetur nga Kryeministri për nivelin e optimizmit në lidhje me realizimin e objektivave deri në fund të dekadës, Sala u përgjigj: “Jam optimiste sepse baza që duhet janë. Optimizmi nga 1 në 10 është 9.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›