E Diel, 1 Nëntor 2026

Minoranca vendos të thërrasë Konferencën Gjyqësore për zgjedhjen e anëtarëve të KLDNga TemaTrupa gjyqësore mori dje vendim që të mblidhet Konferenca Gjyqësore, edhe pse në mbledhje ishin të pranishëm shumë më pak se gjysma e tyre, çka e bën votimin t

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Minoranca vendos të thërrasë Konferencën Gjyqësore për zgjedhjen e anëtarëve të KLDNga Tema

Trupa gjyqësore mori dje vendim që të mblidhet Konferenca Gjyqësore, edhe pse në mbledhje ishin të pranishëm shumë më pak se gjysma e tyre, çka e bën votimin të parregullt.

Vetëm një e treta e të pranishmëve, në kundërshtim me rendin e ditës, kanë vendosur që të thërrasin Konferencën Gjyqësore për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilëve u ka mbaruar mandati. Në mungesë të ligjit që duhej të ishte miratuar në Kuvend, do të jetë Konferenca Gjyqësore ajo që do vendosë.

Në takimin e thirrur nga ana e kreut të Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kanë marrë pjesë vetëm 119 gjyqtarë, nga 300 gjyqtarë që janë në të gjithë vendin. Në takimin e djeshëm duhej të ishin të pranishëm 181 gjyqtarë nga e gjithë Shqipëria për të arritur kuorumin e duhur, për të hedhur në votim nëse duhej mbledhur Konferenca Gjyqësore, pa pasur ende një ligj të miratuar nga parlamenti apo duhej pritur, derisa parlamenti të miratojë ligjin.

Kjo shkelje është justifikuar me faktin se ka qenë ditë e shtunë, ndaj dhe shumë prej gjyqtarëve nuk kanë ardhur.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë do të jetë në krye të grupit që do të hartojë rregulloren e funksionimit të Konferencës Gjyqësore.

Kushtetuta përcakton se KLD përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë: Presidenti i Republikës, kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe nëntë gjyqtarë të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Afati i qëndrimit në detyrë është pesë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë të kërkojnë rizgjedhje të menjëhershme. Aktualisht në KLD janë 4 vende bosh dhe për pasojë gjithë vendimet e këtij institucioni bëhen të pavlefshme. Ngërçi i krijuar nga mbarimi i mandatit të këtyre të fundit është nga mosmiratimi i projektligjit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Për këtë arsye, gjyqtarët menduan që ta zgjidhin vetë këtë ngërç, duke mbledhur një konferencë. Gjatë takimit të gjyqtarëve të zhvilluar ditën e djeshme është diskutuar edhe lidhur me problematika të tjera, me të cilat përballen gjyqtarët dhe gjykatat.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, deklaroi se ritmi i reformave në sistemin gjyqësor duhet të përshpejtohet. “Reforma në drejtësi mbetet prioritet i çdo shoqërie e sfidë. Nisur nga vështirësitë, me të cilat ndeshet drejtësia, ky proces do jetë relativisht i gjatë”, - tha Beçaj. Kjo e fundit tha se legjislacioni është pothuajse i njëjtë me shtetet demokratike dhe formalisht këto ligje japin idenë e një pushteti gjyqësor të pavarur, por, sipas saj, këto ligje nuk zbatohen nga të gjithë gjyqtarët. “I paafti nuk mund të zbatojë ligjet. I korruptuari, qoftë dhe i aftë para parave, e anashkalon ligjin. I politizuari që formalisht deklaron se është i apolitizuar formalisht nuk ka respekt për ligjin”, - tha Beçaj. Kryetarja e Gjykatës së Lartë tha se KLD duhet të marrë masa ndaj gjyqtarëve të korruptuar, ndërsa u shpreh se nuk janë të pakta rastet kur ndaj tyre ushtrohet presion. “Për të luftuar korrupsionin jepini fund fjalimeve të përgjithshme. Të evidentojmë individët e korruptuar. KLD të marrë masa ndaj gjyqtarëve të korruptuar, por më parë duhet t’i vërtetojë. Elementë keqbërës ushtrojnë presione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar”, - tha Beçaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›