Miqësi o armiqësi e fshehur?

A ekziston ende miqësia?
A ekziston ende miqësia? Bota moderne të imponon një transformim të vazhdueshëm. Ndryshojmë vendndodhje, punë e detyrohemi të largohemi nga miqtë e vjetër. Premtojmë se nuk do harrohemi, do mbetemi në kontakt, do rishihemi së shpejti, e shumë rrallë herë ndodh. Teknologjia që nuk resht së zhvilluari, na servir dembelizmin e harresën, indiferencën e mendjemadhësinë. Një sms për të uruar ndërrimin e viteve, një email për të kujtuar se nuk ta kam harruar ditëlindjen, një “like” për t’u shfajësuar, një kompliment “alla frënga” nën foto për t’u paqësuar dhe “për fat” miqësia shpëtoi. Luhet “kush është fshehur?” për të stimuar veten e ngjitet mbi buzë “jam miku i filanit” për të rënduar peshën. Miqësi o armiqësi e fshehur? Disa studime sociale e klasifikojnë në një raport drejt rrugës së zhdukjes, i ekzistueshëm pastërtisht veç në adoleshencë e pleqëri, disa të tjerë fajësojnë globalizmin dhe rreshtojnë rrugët e shpëtimit. Miqësia është një raport social i bazuar tek respekti, stima e dispozicioni reciprok që shoqëria moderne argëtohet duke e transformuar në simpati, shkëmbim rolesh, stimuj e solidaritet, por jo pak edhe me hijen e negativizmit, privilegjit e përfitimit. Në gjuhën e përditshme është mjeti për të përmbysur normat e rregullat, për mbijetesën e imponuar, për të ndihmuar të arrish i pari. Sa më e fortë është miqësia aq më i pari je mes të parëve. “Të gjitha kafshët janë të barabarta, - shkruante Orwell, - por disa janë më të barabarta se të tjerat”.
“Miku im, pranë teje nuk kam asgjë për të të kërkuar falje, asgjë nga duhet të ruhem, asgjë për të të demonstruar: gjej veç paqen. Përtej fjalëve të mia ti sheh tek unë thjesht njeriun”, - shkruante një shekull më parë francezi Antoine de Saint-Exupery. Kjo fjalë që ka në rrënjën e saj foljen latine - amo (-as, -avi, -tum, -are) - të dua, është një lidhje sociale e ndjenjë e fortë që pesë shekuj para epokës sonë filozofi Konfucio e rendiste bashkë me 5 tipologjitë kryesore të marrëdhënieve ndërpersonale: imperator e skllav, babë e bir, burrë e grua, vëlla i madh e vëlla i vogël, e midis dy personave të barabartë. Katër tipologjitë e para janë në marrëdhënie hierarkike mes tyre: superiori-inferiori, e të ndryshueshme nga një epokë në tjetrën, veç miqësia ka ruajtur esencën e strukturës së saj.
Qysh në antikitet miqësia polemizohej në kuptim, lidhej nga ndjenja e ndahej nga interesi, gjykoheshin kriteret e saj matëse shumë pranë elementëve të sotëm e aspak të ndryshëm. Po nuk duhet të çuditemi e as të mendojmë se fjala miqësi e pastër e puro, siç e kërkon etimologjia e saj, ka qenë e tillë veç në të shkuarën. 2000 vite më parë, Aristoteli kish kuptuar se miqësia nuk ka veç një kuptim, por disa e të ndryshme. Aristoteli e kish përballuar këtë mendim në dy libra: “Etica” “Nicomachea” VIII e IX, të cilët ndërtojnë traktatin më të gjerë që një filozof i ka dedikuar deri më sot miqësisë. Ai e konsideron miqësinë një pasion, një mënyrë të ngjashme me frikën, guximi, dashurinë, dëshirën, zemërimin, lakminë, urrejtjen, mëshirën, gjithçka që pasohet nga kënaqësia e dhimbja. E përkufizojmë miqësinë me kënaqësinë, dobinë e mirësinë, por veç “miqësia e bazuar në mirësi është virtyti i saj autentik”, - thotë ai. Kush adhuron një person për kënaqësinë që kjo i sjell apo për shërbimet që i vijnë prej tij, krijon veç një miqësi jo perfekte; kush dëshiron të mirën e personit që adhuron ndërton miqësinë e përsosur e si një virtyt. Ky tip raporti është për Aristotelin një element thelbësor i lumturisë, përmbledh ndjenjën e kënaqësisë e është miqësia e kuptuar si emocion. Miqtë përbëjnë për njeriun e lumtur mirësinë esteriore më të madhe: njeriu i shkëlqyer ka nevojë për persona që t’u bëjë vepra të mira, pasi njeriu është një kafshë politike që tenton të jetojë në bashkësi.
Një vepër të tërë i ka dedikuar miqësisë edhe Ciceroni në “De Amicitia” opinioni i të cilit shprehet qartë në aforizmin e tij të njohur: “Sipas mendimit tim, kush eliminon nga jeta miqësinë, eliminon diellin nga bota”. Për të miqësia është një ndjenjë shumë e lartë që jep e kërkon shumë, është një ndjenjë e rrallë por e aftë të jap qetësi kujtdo që i bëhet pjesë. Ciceroni flet me përbuzje për miqësitë e lidhura nga interesat personale, oportunizmi, llogaritë mondane e i quan të pamundura miqësitë midis personave karakterisht e moralisht të ndryshëm.
Pak fjalë nga “De Amicitia” e Ciceronit
“Është e nevojshme tani të fiksojmë limitet e miqësisë, linjën e kufirit të ndjenjës. Shoh se mbi këtë argument qarkullojnë tre teori e asnjëra nuk më duket e pranueshme. E para mbështet se duhet të ushqejmë për miqtë të njëjtat ndjenja që provojmë për veten: e dyta se ndjenja jonë për miqtë duhet të korrespondojë në gjithçka e për gjithçka me ndjenjën e tyre për ne; e treta se sa stimoj unë veten aq duhet të më stimojnë dhe miqtë. Nuk jam aspak dakord me asnjë nga të tria. Nuk është e vërtetë e para, sipas të cilës jemi të gatshëm ndaj miqve ashtu siç ndaj vetes. Sa gjëra nuk do t’i bënim kurrë për ne, por i bëjmë për miqtë. Lusim persona të padenjë, kundërshtojmë me forcë e sulmojmë ashpër në mbrojtje të miqve, është maksimumi i dinjitetit, por kur bëhet fjalë për ne kjo sjellje rezulton pak dinjitoze. Në shumë rrethana njerëzit me virtytet sakrifikojnë shumë nga privilegjet e tyre për të argëtuar më shumë miqtë se veten. Teoria e dytë konsideron miqësinë si një reciprokritet i detyrimeve e ndjenjave. Por nënkupton ta zvogëlosh në llogari meskine për të parë se bilanci është i barabartë. Por miqësia e vërtetë sipas meje është më e pasur, më zemërgjerë, nuk i jep rëndësi vogëlsirave për mos të marrë më shumë se sa ka dhënë. Nuk është e nevojshme të kesh frikë se humb diçka, se po toleron o po rëndon. Megjithatë, më e keqja nga të gjitha është e treta: kur dikush stimon veten aq duhet të stimohet nga miqtë. Shpesh disa ndiehen shumë të dëshpëruar e ushqejnë një shpresë për të përmirësuar fatin e tyre. Nuk është mik ai që është ndaj tjetrit ashtu si ndaj vetes, mik është kush bën gjithçka për të tundur kë ndihet keq e për ta ushqyer me shpresa e mendime të mira. Është e nevojshme pra të stabilizohet një limit i vërtetë i miqësisë: kur miqtë kanë një sjellje pa të meta, duhet bashkuar çdo aksion, mendim, propozim, pa përjashtim. Se rasti e kërkon që të kënaqim miqtë e jo gjithçka në të drejtë, por ku vihet në lojë jeta e reputacioni i tyre, atëherë duhet bërë ndonjë përjashtim, mjaft që të mos ndiqet nga një jo nderim i rëndë. Deri në një farë limiti mund të përdorim indulgjencën e miqësisë, pa lënë mënjanë reputacionin tonë e pa nënvlerësuar favorin e opinionit publik si të ishte një armë e vogël në jetën politike, por t’u kundërvihemi lajkave e qarjeve si një turp e të mos mohojmë kurrë virtytin nga ku rrjedh ndjenja. Të gjithë dinë të thonë sa dele e dhi kanë, por jo sa miq. Kur blejnë një kope përdorin çdo mjet vlerësimi, por në zgjedhjen e miqve janë të hutuar e nuk kanë në një farë mënyre as shenja të veçanta e marka që ndihmojnë për të gjykuar se kush është apo jo i vlefshëm në miqësi. Duhet t’i zgjedhim miqtë me tipare qëndrueshmërie e stabilitet logjik - dhe në këto karakteristike ka një mungesë të madhe. Të gjykosh një person pa e vënë në provë është vërtetë e vështirë, por dhe prova është e mundshme vetëm kur është krijuar një lidhje. Kështu që miqësia gjykohet e përfundon duke i eliminuar mundësinë e një verifikimi. Është tregues i diturisë, të dish të frenosh rritjen e dashurisë ashtu siç frenon një qerre, e për të mundur ta përdorësh miqësinë vetëm pasi ke eksperimentuar në një farë mënyrë karakterin e miqve ashtu si provohen kuajt. Shpesh disa shfaqin lehtësinë e tyre, me pak para : të tjerë të patundur para një shume të vogël, tradhtohen para një shume të madhe. Por dhe sikur të gjejmë se kush ka turp të preferojë paratë nga miqësia, ku do mundim të gjejmë se kush nuk e preferon atë përballë nderit, fuqisë publike e ushtarake. Natyra humane është shumë e dobët për të përbuzur fuqinë e kur arrihet fuqia me çmimin e një miqësie, mendohet se mbi të do bie një hije, pasi pa një arsye të vlefshme miqësia u la pas dore.
E pra, është e vështirë gjetja e miqësive të vërteta, në këdo që sheh tek karriera politike një arsye të jetës. Ku të gjesh kush preferon në vend të suksesit të tij atë të mikut? E për të shkuar më tej sa e vështirë është për njerëzit të ndajnë dështimet e të tjerëve. Nuk është e lehtë të gjesh persona të gatshëm për t’u përulur kaq shumë. Prandaj dhe Ennio ka të drejtë kur thotë: “Miku i vërtetë shfaqet në vështirësi”.
Miqësia e rinisë sipas Aristotelit
“Miqësia e të rinjve është e motivuar nga kënaqësia. Ata jetojnë me pasion e ndjekin atë që u pëlqen personalisht dhe në atë moment. Por kur mosha ndryshon, gjërat që na pëlqejnë, janë të tjera. Prandaj, edhe të rinjtë bëhen shpejt miq e shpejt pushojnë së qeni: miqësia e tyre ndryshon me atë çka u pëlqen e kënaqësitë e rinisë janë subjekt i ndryshimeve të shpeshta. Të rinjtë janë të prirë për dashuri e pjesa më e madhe e miqësisë dashurore kënaq pasionin e rrjedh nga kënaqësia. Për këtë motiv dashurojnë e pushojnë së dashuruari shpejtësisht, duke ndryshuar madje disa herë në të njëjtën ditë. Ata dëshirojnë t’i kalojnë ditët në shoqëri, të ndjekin një jetë të përbashkët, pasi kështu lind për ta ajo çka përputhet me miqësinë.
Miqësia midis atyre që kanë virtyte të ngjashme, është e përsosur.
Khail Gibran “Miku juaj”
Miku juaj është nevoja juaj e ngopur
Është fusha që mbillni me dashuri e korrni me falënderim,
Është mensa juaj, oxhaku juaj
Kur të uritur jeni, fshiheni tek ai për të gjetur paqen tuaj.
Kur miku ju beson mendimin e tij
Mos i mohoni aprovimin tuaj, as mos kini frikë ta kundërshtoni
E kur hesht zemra juaj mos të pushojë së dëgjuari zemrën e tij
Në miqësi çdo mendim, çdo dëshirë, çdo pritje,
lind në heshtje e ndahet me gëzim të papërshkueshëm.
Kur nga ai ndaheni mos u trishtoni
Mungesa e tij qartëson çka ju në të, më shumë doni.
Si alpinisti që malin sheh më qartë se fushën.
E nuk i shkon miqësisë asnjë qëllim tjetër veç thellësia e shpirtit.