E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqtë e “Çlirimit”

Gjashtë zyrtarët komunalë i kanë siguruar Kompanisë “Çlirimi” përfitim të paligjshëm, në dëm të Komunës së Prishtinës. Ekrem Rexha, Menaxher i Zyrës së Prokurimit, pa mbulesë, ia ka dhënë kësaj kompanie 846.712.80 euro. Express sjell kërkesën e Prokurorisë në bazë të së cilës të pandehurve iu caktua një muaj paraburgim Nga Nexhmije Ahmeti më 06 maj 2011 në ora 08:23

Gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të arrestuar dy ditë më parë nga policia nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës dhe transaksione pa mbulesë, të enjten u është caktuar masa e paraburgimit në afat prej tridhjetë ditësh.

Vendimin e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, duke vendosur që të pandehurit të qëndrojnë prapa grilave, sipas kërkesës së prokurores Drita Hajdari.

Në kërkesën e Prokurorisë Publike të Qarkut për caktim të paraburgimit ndaj gjashtë zyrtarëve komunalë, të cilin e ka siguruar Gazeta Express, thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 14 dhjetor 2010, në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ndërmarrjen private “Çlirimi” nga Korisha e Prizrenit, në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar autorizimet, në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik dhe nenin 2.3 të Kontratës “Ndërtimi i kolektorit atmosferik mbi lumin Prishtina”, në lagjen Kalabria në Prishtinë.

Në kontratën e lidhur më 27 tetor 2010 në mes të Komunës së Prishtinës, si autoritet kontraktues dhe N.P.N.T. “Çlirimi” si kontraktues, është përcaktuar se Komuna do t’i paguajë pagesat kompanisë në pjesë, sipas vlerave të sasive të punimeve, nga 200 mijë euro. Por, i pandehuri Ekrem Rexha, në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit, më 14 dhjetor 2010 ka lëshuar aneks, me të cilin ka ndryshuar këtë kontratë bazë, duke përcaktuar se Komuna do t’i paguajë kompanisë vlerën e furnizimeve të përfunduara. Më pas, të pandehurit Refik Sadiku, Halil Fejziu, Qazim Bajrami dhe Hazir Krasniqi, në cilësinë e anëtarëve të organit mbikëqyrës të punimeve, të njëjtën ditë kanë lëshuar një konstatim, në të cilin kanë propozuar që t’i bëhet pagesa kontraktuesit për blerjen e mallit në vlerë prej 846 712 euro, ndërsa i pandehuri Ridvan Shahini, në cilësinë e drejtorit të Infrastrukturës Lokale, të njëjtën ditë ka bërë kërkesë në Departamentin e Prokurimit për pagesën e faturës nr. 4/12/10f, lëshuar nga ndërmarrja “Çlirimi” për materialin e blerë në vlerë prej 846.712 euro. Pagesa është realizuar më 21 dhjetor 2010, duke i siguruar në këtë mënyrë përfitim të kundërligjshëm kësaj ndërmarrjeje, në dëm të Komunës së Prishtinës në këtë shumë parash. Me këtë veprim, ata kanë kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit.

Në arsyetimin e Prokurorisë rreth kërkesës për caktimin e paraburgimit thuhet se më 4 maj, Polica e Kosovës ka paraqitur kallëzim penal kundër gjashtë të pandehurve për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale. Bazuar në mënyrën e kryerjes së veprës, Prokuroria konsideron se ka arsye për të besuar se të pandehurit në liri mund të ndikojnë njëri-tjetrin. Po sipas Prokurorisë, ekziston bindja se të pandehurit, po që se mbeten në liri, mund të ndikojnë edhe në dëshmitarët e rastit dhe të pengojnë rrjedhën e hetimeve.

Kundërshtojnë avokatët

Ndaj vendimit për paraburgim ka reaguar avokati Bajram Tmava, i cili mbron Ridvan Shahinin. Këtë veprim, ai e ka quajtur turp për drejtësinë.

“Shqiptimi i kësaj mase është turpi i gjyqësisë së Kosovës si në raport me prokurorinë, ashtu edhe me gjykatën”, tha Tmava për Express.

Shqiptimi i masës së paraburgimit i ka paraprirë një loje nervash gjatë tërë ditës së enjte. Kjo për faktin se avokatët e të arrestuarve kanë kërkuar që rastin ta marrë misioni i EULEX’it. Por, një kërkesë e tillë është refuzuar nga misioni evropian, duke bërë që në orët e pasdites të mbahet seanca tjetër në lidhje me këtë rast, në të cilën edhe është vendosur masa e paraburgimit.

Reagojnë familjarët

Reagimi ka qenë i ashpër edhe nga familjarët e të arrestuarve.
Kështu Isa Rexha, vëllai i Ekrem Rexhës, procesin e ka cilësuar të montuar politikisht.
Ai e ka akuzuar SHIK-un se qëndron pas gjithë ngjarjes.

Sipas tij, Fatmir Xhelili është pas rastit dhe njëri prej hetuesve, Agron Neza, është në lidhje farefisnore me këtë deputet të PDK-së, ish zv.ministër i Brendshëm.
“Vëllai im është i pafajshëm. Ai është një nga ekspertët më të mirë dhe për te ka investuar shteti. SHIK-u dhe Fatmir Xhelili qëndrojnë pas rastit”, ka thënë Rexha. Ai, po ashtu, ka shprehur rezerva nëse edhe EULEX duhet ta marrë rastin.

Dëshmitarët

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, të cilin e ka siguruar Express, thuhet se në këtë çështje penale duhet të dëgjohen dëshmitarët Sali Dakaj, drejtor i “Çlirimit”, Arben Dakaj, kontabilist në “Çlirimi”, Gafurr Dakaj, inxhinier kryesor në këtë ndërmarrje, Firdeze Adana, zyrtare e financave në Drejtorinë e Infrastrukturës Lokale të Komunës së Prishtinës, Ahmet Gashi, zyrtar i lartë për çështje juridike në këtë drejtori, si dhe Xhelil Bekteshi, zyrtar i financave në Komunën e Prishtinës.

Të pandehurit

Ekrem Rexha (1960) nga Bresalci, banues në Prishtinë, Ridvan Shahini (1943) i lindur e banues në Prishtinë, Refik Sadiku (1960) nga fshati Leshtar i Kamenicës e banues në Prishtinë, Halil Fejziu (1964) i lindur në fshatin Brodosan, banues në Prishtinë, Hazir Krasniqi (1965) i lindur në Grashticë dhe Qazim Bajrami (1966) nga Prishtina, banues në Hajvali.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›