E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llamkos në gjykatë

Kompania turke “Mutafqi Dragon Group” do të ankohet në gjykatë për largimin e saj nga tenderi për privatizimin e fabrikës “Llamkos” në Vushtrri. Ata konsiderojnë se Agjencia Kosovare e Privatizimit, me shitjen e kësaj fabrike kompanisë angleze, i ka shkelur rregullat e tenderit, të cilat i ka hartuar vetë. AKP mbron anglezët. Nga Albulena Maloku më 06 maj 2011 në ora 08:45

Çështja e shitjes së fabrikës Llamkos do të përfundojë në gjykatë. Këtë hap do ta marrë kompania turke “Mutafqi Dragon Group”, e cila ishte shpallur fituese për privatizimin e kësaj fabrike.

Ajo konsideron se janë bërë dallavere për largimin e tyre nga lista për blerjen e kësaj ndërmarrjeje. Sipas zyrtarëve të kompanisë turke, Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka shkelur rregullat e veta me vendimin e fundit për shitjen e ndërmarrjes për përpunimin e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri.

Saktësisht, me vendimin e fundit të bordit të AKP’së kjo ndërmarrje ka rënë në duart e kompanisë angleze “Coresteel”, e cila ishte e treta për nga çmimi, gjatë ceremonisë së hapjes së ofertave për privatizimin e saj. AKP’ja e kishte shpallur fitues të përkohshëm për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje kompaninë turke “Mutafqi Dragon Group”. Por, tani, sipas vlerësimit të bordit të Agjencisë, oferta e kompanisë angleze ka qenë më e kompletuara nga ofertat e ofertuesve të tjerë. E kjo, sipas tyre, ka bërë që anglezët të shpallen fitues të tenderit.

Por, zyrtarë të kompanisë turke kanë thënë se ky vendim është në kundërshtim me të gjitha rregullat që i ka nxjerrë dhe aprovuar bordi i AKP’së. Enis Çela nga kjo kompani ka thënë për “Express” se për largimin e tyre nuk kanë biseduar me asnjë zyrtar të Agjencisë dhe as që i kanë ftuar për këtë çështje. “Ne kur kemi marrë vesh se fabrika i është dhënë anglezit, ne jemi habitur shumë dhe kjo është padrejtësi e madhe e menxhmentit të AKP’së”, ka thënë Çela. Por, për eliminimin e tyre, ata do të kërkojnë drejtësi në të gjitha mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë. “Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha rrugët ligjore.

Madje deri në gjykata do të shkojmë për këtë padrejtësi që na është bërë”, tha Çela. Ndërsa në një letër të kësaj kompanie, të cilën e disponon gazeta, thuhet se si fitues të përkohshëm i kanë plotësuar të gjitha kërkesat si garancinë bankare prej 30 milionë dollarësh, ruajtjen e veprimtarisë së njëjtë, numrin e punëtoreve, mbi 72 referenca, qarkullimin vjetor prej 28 milionë eurosh, stafin e menaxhimit si dhe dokumente tjera të kërkuara. “Për habinë tonë nga ne është kërkuar plani i biznesit për pesë vjet, plan ky të cilin e kemi ofruar, por ky plan iu është hapur edhe ofertueseve tjerë e që është në kundërshtim me rregullat e tenderit të hartuar nga AKP-ja”, thuhet në letrën e turqve.

Duke u bazuar në të gjitha këto, si kompani mendojmë se bordi i AKP’së ka marrë vendim të padrejtë, kur ka shpallur fitues të tenderit kompaninë që ka qenë e treta në listë. Sipas tyre, një qasje e tillë e menaxhmentit është shumë e dëmshme për Kosovën.

Zëdhënësi i AKP’së, Yll Kaloshi, ka thënë për gazetën se secila kompani ka të drejtë të ankohet në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës apo në instanca të tjera. Ai tregon se bordi në takimin e muajit mars ka diskutuar në lidhje me tenderin për ndërmarrjen “Llamkos” dhe ka kërkuar nga menaxhmenti që të kryejë hulumtime të mëtutjeshme mbi ligjshmërinë, kualifikimin, qëndrueshmërinë financiare dhe hulumtime tjera për të marrë vendimin e duhur, gjë e cila, sipas tij, është bërë nga ana e menaxhmentit.

“Pas hulumtimeve të bëra, bordi i AKP-së në takimin e muajit prill ka analizuar ofertat e kompanive dhe ka vendosur për shpalljen e fituesit të tenderit, me kushte rigoroze ndaj ofertuesit fitues me qëllim të realizimit të premtimeve të dhëna në ofertë dhe me qëllim që të mos përsëritet dështimi i tenderit”, tha zëdhënësi Kaloshi. Ky thotë se ka qenë vlerësim i bordit të Agjencisë, se oferta e kompanisë angleze ka qenë më e kompletuara nga ofertat e ofertuesve të tjerë dhe është vendosur që këtë ta shpallë fitues të tenderit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›