“Miqtë e Ballkanit Perëndimor” takim në Romë. Hasani : Të rrisim bashkëpunimin për të përshpejtuar integrimin e rajonit

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në takimin e Ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor, theksoi nevojën për një qasje të re ndaj rajonit me fokus të veçantë në ekonomi.
Sipas kryediplomatit shqiptar, konvergjenca ekonomike është mjeti që i mundëson rajonit të nxisë integrimin ekonomik përpara se të kalojë në një integrim politik eventual si hapi i fundit i procesit.
Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, si dhe roli e kontributi i sektorit privat në avancimin e kësaj kauze.
Ministri Igli Hasani ndodhet në Itali, me ftesë të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.
Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i krijuar në vitin 2023, bashkon Italinë, Austrinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Sllovakinë, Greqinë dhe Slloveninë. Grupi u krijua për të rritur vëmendjen e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është një prioritet për Italinë. Ne ndajmë lidhje të thella historike dhe duam të rifillojmë më tej bashkëpunimin në të gjithë sektorët, duke filluar nga ai ekonomik – vuri në dukje Tajani – qasja jonë ndaj sfidave të rajonit është e hapur, gjithëpërfshirëse dhe e bazuar në dialog”.
Zëvendëskryeministri ritheksoi rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit dhe nevojën për të nxitur veprime të përbashkëta për të trajtuar së bashku, në një mënyrë më efikase, luftën kundër migracionit të parregullt, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe organizatave kriminale që e menaxhojnë atë.
Tajani nënvizoi gjithashtu se si angazhimet e radhës në kalendar, në veçanti Samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Bruksel në dhjetor, paraqet një mundësi diskutimi për t’i dhënë shtysë të re procesit të zgjerimit evropian me një horizont kohor të caktuar. “Qeveria i kushton rëndësi të madhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Jemi të përkushtuar që këtë proces ta përshpejtojmë edhe përmes masave graduale integruese”, tha zëvendëskryeministri.
/rtsh.al/