Miratimi i projektit për Portin e Durrësit, Rama: Motor i jashtëzakonshëm ekonomik për mbarë Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit në Kuvend me 76 vota pro të projektit për Portin e Durrësit. Rama deklaron se ky projekt do jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin dhe Shqipërinë. Projekti i Portit të Durrësit ka një vlerë prej 2.1 miliardë euro dhe nëpërmjet tij synohen të krijohen 12 mijë vende pune.
“Mirëmëngjesi dhe me kënaqësinë e hapjes me votën e mbrëmshme PRO të rrugës për ndërtimin e Portit Turistik, që do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook teksa publikon dhe pamje nga Porti aktual i Durrësit dhe projektit 3D që do të ndërtohet. Investimi do të jetë tërëisht i huaj dhe do të ndahet në 2 faza me 5 vite distancë. Në një seancë maratonë Kuvendi i hapi rrugë investimit më të madh në rajon. Projekti për Portin e Durrësit u miratua me 76 vota pro dhe 35 kundër.