E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen dy marrëveshje me GIZ për mbështetjen e negociatave me BE-në dhe zhvillimin ekonomik

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot dy marrëveshje zbatimi me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, si agjenci zbatuese e qeverisë gjermane, që synojnë mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e rajonal.

Vendimi i parë parashikon miratimin e marrëveshjes së zbatimit nr. II për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në sektorin ekonomik” (SANECA II).

Projekti do të zbatohet në bashkëpunim ndërmjet Këshillit të Ministrave, të përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe GIZ, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen e procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian në fushën ekonomike.

Po ashtu, qeveria miratoi marrëveshjen e zbatimit nr. IV për programin “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, nxitja e punësimit dhe arsimi dhe formimi profesional” (ProSEED).

Programi synon të mbështesë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në nivel kombëtar dhe rajonal, përmes nxitjes së punësimit, forcimit të arsimit dhe formimit profesional, si dhe përmirësimit të mundësive për zhvillim ekonomik.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›