E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen ligjet për liberalizimin e vizave

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë, pakon e projektligjeve që dalin si nevojë për përmbushjen e kritereve teknike për liberalizim të vizave. Për të dalë në votim fillimisht është dashur shqyrtimi i propozimit për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit për shqyrtimin e tetë projektligjeve që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, me 2/3 e votave të deputetëve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi si sponzorizues i Projektligjit për të huajt, ka kërkuar nga deputetët votimin e këtij projektligji.

“Projektligjin për të huajt, i cili është i harmonizuar me Kushtetutën, me ligjet e Kosovës dhe rregullon kushtet, procedurat e hyrjes, pajisjes me vizë, leje qëndrimi të përkohshëm, të përhershëm, punësimin e të huajve në Kosovë dhe largimin e tyre me procedura nevojshme. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij ligji dhe me qëllim të plotësimit të kritereve për liberalizim, kërkoj që këtë projektligj ta votoni”, ka thënë Rexhepi.

Ndërkohë deputeti, Fatmir Xhelili në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka mbështetur në parim miratimin e këtij projektligji. Edhe deputetja Vjollca Krasniqi në emër të GP të LDK-së, ka përkrahur në parim këtë projektligj.

Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se këto projektligje kanë ardhur me urgjencë dhe deputetët nuk kanë pasur kohë që të shqyrtojnë.

“Ne duam ta japim kontributin tonë për projektligjin që është i rëndësishëm, edhe procesin e liberalizimit, por nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme, për shqyrtimin e detajuar të tij. Pse me kaq emergjencë dhe nuk e kuptojmë se pse me kaq nguti t’i procedojmë këto projektligje”, ka thënë Selimi. Por, edhe Grupi Parlamentar i tij ka përkrahur këtë projektligj, raporton Kosovapress.

Gjithashtu këtë projektligj ka përkrahur edhe Grupi Parlamentar i AAK-së.

Ndërkohë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se Komisioni Evropian në shkurt kishte pranuar listën e ligjeve që duhet ndryshuar në mënyrë që të mbushet pakoja legjislative e domosdoshme për procesin e liberalizimit të vizave.
Për më tepër ajo ka shtuar se këto ligje kishin ardhur për miratim në Kuvend që në muajin maj, por siç ka thënë ajo shqyrtimi i tyre ka marr kohë në Bruksel.

“Qeveria në maj ka dorëzuar e këto ligje deri me 1 korrik kanë qëndruar në Bruksel. Ne menjëherë i kemi proceduar në Qeveri dhe në Kuvend. Këto do të kishin ardhur në maj në Kuvend, por shqyrtimi i tyre në Bruksel ka marrë kohë. Ka edhe shumë kritere të cilat Kosova duhet t’i përmbush, por këto ligje janë pjesë e atyre kritereve e që quhet pako një e ligjeve, e që kanë të bëjnë me liberalizimin”, ka thënë ministrja Çitaku. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›