E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen rregullat për Regjistrin e Vullnetarizmit dhe raportimin e të dhënave

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përmbajtjen dhe rregullat e plotësimit të Regjistrit të Vullnetarizmit, si dhe afatet dhe procedurat e raportimit të të dhënave nga ofruesit e vullnetarizmit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit.

Sipas vendimit, Regjistri i Vullnetarizmit administrohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe plotësohet nga ofruesit e vullnetarizmit përmes portalit “e-Albania”.

Në regjistër do të përfshihen të dhëna për vullnetarin, përfshirë të dhënat personale, arsimin, profesionin, adresën dhe kontaktet, si dhe të dhëna për subjektin ofrues të vullnetarizmit, objektivat dhe formën e vullnetarizmit.

Gjithashtu, regjistri do të përmbajë datën e fillimit dhe të përfundimit të aktivitetit, datën e ndërprerjes së marrëdhënies së vullnetarizmit dhe datën e regjistrimit të kontratës së vullnetarizmit.

Ofruesit e vullnetarizmit janë të detyruar të garantojnë konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Vendimi përcakton se raportimi për fillimin e vullnetarizmit duhet të kryhet brenda 7 ditëve nga nisja e aktivitetit, ndërsa raportimi për përfundimin e tij duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga përfundimi i vullnetarizmit.

Raportimi do të kryhet në sistemin e shërbimeve të punësimit, përmes ngarkimit të të dhënave të Regjistrit të Vullnetarizmit.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›