E Diel, 1 Nëntor 2026

Paketë e re rregullash për familjet kujdestare, monitorim i fëmijës një herë në dy javë

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat dhe procedurat për monitorimin e situatës së fëmijëve të vendosur në kujdes alternativ në familje, si dhe organizimin dhe zbatimin e monitorimit e inspektimit të shërbimit.

Vendimi, i propozuar nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përcakton përgjegjësitë e strukturave vendore, rajonale dhe qendrore, mënyrën e koordinimit ndërinstitucional, dokumentimin, raportimin dhe trajtimin e gjetjeve.

Qëllimi është garantimi i interesit më të lartë të fëmijës, sigurisë, mirëqenies dhe zhvillimit të tij gjatë qëndrimit në familje kujdestare, si dhe sigurimi i cilësisë, ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies në ofrimin e shërbimit.

Sipas vendimit, monitorimi do të realizohet në nivel vendor, rajonal dhe qendror. Në nivel vendor përgjegjës për monitorimin e drejtpërdrejtë është punonjësi ose Njësia për Mbrojtjen e Fëmijës, në bashkëpunim me Njësinë e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit dhe strukturat përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki.

Shërbimi Social Shtetëror dhe drejtoritë rajonale në varësi të tij do të monitorojnë zbatimin e standardeve të shërbimit përmes vizitave periodike, verifikimeve të bazuara në risk, analizës së të dhënave dhe shqyrtimit të raporteve të strukturave vendore.

Për çdo fëmijë të vendosur në kujdes alternativ në familje do të hartohet dhe zbatohet një plan individual kujdesi, pjesë e të cilit do të jetë edhe plani individual i monitorimit.

Gjatë tre muajve të parë nga vendosja e fëmijës në familje kujdestare, monitorimi në mjedisin familjar do të kryhet jo më pak se një herë në dy javë. Pas kësaj periudhe, monitorimi do të kryhet të paktën një herë në muaj ose më shpesh, në varësi të nevojave dhe nivelit të riskut.

Rishikimi periodik i përgjithshëm i situatës së fëmijës do të kryhet brenda gjashtë javëve nga vendosja dhe më pas jo më rrallë se një herë në katër muaj.

Monitorimi do të kryhet menjëherë edhe në rastet kur raportohen ose evidentohen rrethana që mund të cenojnë sigurinë, mirëqenien apo zhvillimin e fëmijës.

Procesi do të përfshijë vizita në familjen kujdestare, takime individuale me fëmijën, takime me familjen kujdestare dhe familjen biologjike, si dhe komunikim me institucionet arsimore, shëndetësore dhe struktura të tjera të përfshira.

Vendimi përcakton katër nivele risku: të ulët, të mesëm, të lartë dhe të menjëhershëm/emergjent.

Në rastet me risk të mesëm, monitorimi intensifikohet dhe rishikohet plani individual, ndërsa në rastet me risk të lartë ndërmerren masa të menjëhershme për shqyrtimin e rastit dhe monitorim të intensifikuar.

Në rastet kur konstatohet risk i menjëhershëm ose emergjent, strukturat përgjegjëse duhet të ndërhyjnë pa vonesë, duke referuar rastin sipas procedurave të mbrojtjes së fëmijës dhe duke marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së tij.

Vendimi parashikon gjithashtu masa korrigjuese urgjente, afatshkurtra, të zakonshme dhe strukturore, me afate zbatimi që variojnë nga 24–48 orë deri në 60–90 ditë, në varësi të problematikës së konstatuar.

Inspektimi i shërbimit do të kryhet për të verifikuar përputhshmërinë me kërkesat ligjore, standardet e miratuara dhe kushtet e certifikimit. Ai mund të jetë i planifikuar, i paplanifikuar, tematik ose i jashtëzakonshëm.

Vendimi përcakton gjithashtu procedurat për dokumentimin e monitorimit, raportimin periodik, shkëmbimin e informacionit, trajtimin e ankesave dhe sinjalizimeve, si dhe përgjegjësitë e institucioneve të përfshira në sistemin e kujdesit alternativ në familje.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›