E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Miratohet Plani Kombëtar për Integrimin Evropian 2023-2025

Miratohet Plani Kombëtar për Integrimin Evropian 2023-2025. Ka hyrë sot zyrtarisht në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, për Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2023-2025 (PKIE 2023- 2025), i cili është propozuar nga ministri i Shtetit dhe Kryenegociator.

Plani, i cili bëhet i ditur nga rtsh.al, parashikon që ministri i Shtetit dhe Kryenegociator ngarkohet të bashkërendojë dhe të monitorojë zbatimin e PKIE-së 2023–2025 me ministrat dhe/ose drejtuesit e institucioneve përgjegjëse për kryesimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian (GNPIE), si dhe negociatorin përgjegjës të secilit kapitull, të acquisit të BE-së.

Në dokument theksohet se negociatori përgjegjës për kapitullin e acquis-it të BE-së, i caktuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, raporton çdo javë, pranë ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2023–2025.

Ministri i Shtetit dhe Kryenegociator ngarkohet të raportojë, çdo 3 (tre) muaj, në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2023–2025.

Do të jenë ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila në bashkëpunim me ministrin e Shtetit dhe Kryenegociator, do të monitorojnë përfshirjen nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në programin buxhetor afatmesëm, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme, të parashikuara në PKIE-në 2023–2025.

Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave, në përbërje të grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian, për të cilat në PKIE-në 2023–2025 janë përcaktuar detyra të veçanta për zbatimin e këtij vendimi.

/rtsh.al/ a/meta/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›