E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohet Programi Kombëtar i Lehtësirave në Aviacionin Civil, ngrihet Komiteti Kombëtar për zbatimin e tij

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot Programin Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil, një dokument strategjik që synon përmirësimin e proceseve dhe shërbimeve në transportin ajror në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Së bashku me këtë program u vendos edhe ngritja e Komitetit Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil, i cili do të ketë për detyrë koordinimin ndërinstitucional për zbatimin e masave të përcaktuara në program.

Komiteti do të drejtohet nga drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve kryesore shtetërore, përfshirë ministritë përgjegjëse për transportin, punët e brendshme, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë, si dhe përfaqësues nga Policia e Shtetit, doganat, operatorët ajrorë dhe entet menaxhuese të aeroporteve.

Komiteti do të mblidhet rregullisht dy herë në vit dhe do të ketë mundësi të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme kur të jetë e nevojshme.

Ai do të mbështetet nga një sekretar i caktuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili do të kujdeset për organizimin administrativ të mbledhjeve dhe dokumentimin e punës së Komitetit.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›