Moody’s konfirmon Shqipërinë me “Ba3”. Konsumi dhe investimet në turizëm dhe energji nxitën rritjen ekonomike

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s Ratings ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “Ba3” me perspektivë “të qëndrueshme”.
Raporti vlerëson se konsumi i fortë vendas dhe investimet në infrastrukturën e turizmit dhe energjisë kanë nxitur rritjen reale të PBB-së, e cila pritet të jetë 3.7% në vitin 2025 dhe 3.5% në vitin 2026. Turizmi mbetet një shtyllë kryesore e ekonomisë, duke rritur eksportet e shërbimeve dhe investimet në ndërtim.
Sipas Moody’s, stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë është ruajtur duke dëshmuar qëndrueshmëri dhe aftësi të shpejtë rimëkëmbjeje. Agjencia parashikon që borxhi publik do të arrijë në 53.5% të PBB-së në vitin 2026, i mbështetur nga rritja ekonomike dhe suficiti primar fiskal.
Në raport theksohet gjithashtu se reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen do të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit në BE. Integrimi ekonomik me Bashkimin Europian, si partneri më i madh tregtar i Shqipërisë, do të mbështesë rritjen e qëndrueshme dhe afrimin e nivelit të të ardhurave me vendet anëtare.
/RTSH/