Miratohet ligji, 3 vite pune brenda vendit për studentët e Mjekësisë

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 74 vota pro, 1 abstenim, 0 kundër projektligjin “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucione publike të arsimit të lartë”.
Ndryshimet e propozuara në projektligj janë në përputhje me objektivat e parashikuara të nenit 59 të Kushtetutës. Me këto ndryshime ulen në 3 vitet e punës për studentë që fillojnë rishtas, për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë në vetëm një 1.
Sipas relatores Etilda Gjonaj e cila paraqiti ndryshimet, ligji siguron që mjekët e rinj, pas përfundimit të studimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjes sipas ligjit, të kenë prioritet për punësim në institucionet publike shëndetësore bazuar në notën mesatare. Në rast se nuk do të mund të punësohen as në sektorin publik dhe atë privat do të marrin 80% të pagës së një mjeku të përgjithshëm për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda 9 muajve në institucionet publike.Gjithashtu Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 2 abstenim 0 kundër projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës kombëtarë të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”.
Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 4 abstenim dhe 0 kundër edhe projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”.
Kuvendi miratoi me 72 vota pro, 2 abstenim dhe 0 kundër edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 43/2020, “Për aktivitetet e turizmit detar”.
Kuvendi rrëzoi me 7 vota pro, 61 abstenim dhe 4 kundër projektvendimin për zgjedhjen e kandidatit Erjon Fejzulla, si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve te shoqërisë civile.
Kuvendi miratoi me 72 vota pro, 1 abtenim dhe 2 kundër projektvendimin për propozimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së Besnik Dervishit për Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 2 abstenim, 0 kundër projektvendimin për caktimin e Niko Peleshit si anëtar në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Lindita Nikolla si anëtare në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projektvendimin për caktimin e Niko Peleshit si anëtar zëvendësues në Komisionin për Çështjet Evropiane.