Miratohet me unanimitet, plani trejavor i punës së Kuvendit

Mblidhet konferenca e Kryetarëve, merr pjesë edhe opozita. Seanca e parë e sesionit të ri parlamentar mbahet të hënën më 5 shtator, por PS kërkon rishikimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota, duke paralajmëruar një shtyrje të procesit të miratimit të reformave
Konferenca e kryetarëve e grupeve parlamentare është mbledhur paraditen e djeshme në kryesinë e Kuvendit, nën drejtimin e kryetares, Jozefina Topalli.
Konferenca e kryetarëve, ku mori pjesë dhe përfaqësuesit e opozitës përmes kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruçi, miratoi në unanimitet kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator-23 shtator, si dhe Programin e punës për periudhën 5 shtator-14 tetor. Konferenca vendosi gjithashtu që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të hënën më 5 shtator, ora 18.00.
Kryetarja Topalli ftoi kryetarët e grupeve parlamentare të nisin punën për ngritjen e Komisionit për Reformën zgjedhore, si edhe theksoi domosdoshmërinë e votimit sa më parë të ligjeve të rëndësishme si ai për ngritjen e Gjykatës Administrative dhe të Kodeve, ligje të cilat kërkojnë 3/5 e votave të parlamentit.
Një ditë më parë, kryetarja Topalli ftoi opozitën të jetë pjesë e axhendës së Kuvendit dhe të japë kontributin e saj për reformën zgjedhore dhe plotësimin e 12 rekomandimeve të KE-së për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.