Miratohet ndërtimi i centralit fotovoltaik në Fier
Këshilli i Ministrave miratoi të martën vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike në fshatin Sheq Marinas, bashkia Fier. Ai do të ndërtohet nga shoqëria “NOVA SOLAR SYSTEM”.
Shoqërisë “NOVA SOLAR SYSTEM”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit fotovoltaik.
Sipas vendimit të qeverisë, kapaciteti i instaluar do të jetë 50 MW.
Afati i pritshëm i vënies në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 36 muajve. Ndërsa afati i operimit do të jetë 49 vite, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.