Miratohet plani i ri për Parkun Arkeologjik të Apolonisë, Gonxhja: Forcojmë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Parku Arkeologjik i Apolonisë do të administrohet mbi bazën e një plani të ri mbrojtjeje, pas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, i cili e shpall këtë sit “Pasuri Kulturore e Paluajtshme” në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se akti i ri synon të forcojë mbrojtjen ligjore dhe administrative të parkut, duke përditësuar kufijtë e tij sipas standardeve shtetërore të përcaktuara nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG).
Sipas ministrit, plani i miratuar përcakton më qartë kriteret, procedurat dhe përgjegjësitë institucionale për ruajtjen, konservimin, restaurimin dhe administrimin e parkut, ndërsa harmonizon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Dokumenti parashikon gjithashtu ndarjen e Parkut Arkeologjik të Apolonisë në zona me nivele të ndryshme mbrojtjeje, bazuar në potencialin arkeologjik dhe rezultatet e kërkimeve të zhvilluara ndër vite.
Sipas Gonxhes, përditësimi i këtij akti forcon instrumentet ligjore për mbrojtjen e një prej qendrave më të rëndësishme të qytetërimit antik në Shqipëri, duke garantuar ruajtjen, studimin dhe zhvillimin e Apolonisë si një destinacion me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe turizmin.
“Këshilli i Ministrave miratoi aktin e përditësuar për Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke e deklaruar “Pasuri Kulturore e Paluajtshme” në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 27/2018 dhe duke miratuar planin e ri për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij. Ky akt, shënon një përmirësim të dukshëm në drejtim të mbrojtes së kufijve të parkut, duke pasqyruar koordinatat sipas standardeve shtetërore të përcaktuara nga ASIG.
Plani i ri përcakton më qartë kriteret, procedurat dhe përgjegjësitë institucionale për ruajtjen, konservimin, restaurimin dhe administrimin e parkut, duke harmonizuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Gjithashtu, ai organizon parkun sipas zonave me nivele të ndryshme mbrojtjeje, bazuar në potencialin arkeologjik dhe rezultatet e kërkimeve të zhvilluara ndër vite.
Ky përditësim forcon instrumentet ligjore për mbrojtjen e një prej qendrave më të rëndësishme të qytetërimit antik në Shqipëri, duke garantuar që Apolonia të ruhet, të studiohet dhe të zhvillohet si një destinacion i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe turizmit”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/