E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohet vendimi për dhënien e bursave për vitin shkollor 2024-2025

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2024–2025.

 “Për sa përket solidaritetit dhe bursave, është në nderin e Bashkisë së Tiranës dhe këtij Këshilli Bashkiak, që jep 2500 bursa ekselentëve, për çunat e gocat me 10-a. Duam ta vijojmë këtë ritëm dhe dua të falenderoj të gjithë nxënësit e shkëlqyer. Të gjithë i kemi njësoj, por ata që bëjnë një përpjekje ekstra të veçantë, janë krenari për qytetin. Jam i vendosur që të vijojmë t’i bëjmë këto pagesa. Ndërkohë, 451 i kemi për arsimin profesional publik. Kjo do të thotë, kryesisht për nxënës që vijnë nga Zall Herri, Zall Bastari, pra që nuk e kanë mundësinë të shkojnë e vijnë përditë, por rrinë në konvikte dhe kanë bursë nga Bashkia e Tiranë”, tha Veliaj.

Gjatë diskutimeve në Këshillin Bashkiak për buxhetin e vitit 2025, Erion Veliaj nënvizoi se Tirana sot kas 109 çerdhe e kopshte, si edhe 45 shkolla të reja.

 “Përsa i përket infrastrukturës arsimore, ky Këshill Bashkiak duhet të jetë super krenar sepse në këto 9 vite kemi bërë 109 kopshte dhe çerdhe që nuk ishin përpara; pra, o ishin disfunksionale ose nuk ekzistonin fare 109 kopshte dhe çerdhe dhe 45 shkolla”, shtoi kryebashkiaku.

Bashkia e Tiranës u zotua për të ndihmuar nxënësit dhe familjet në nevojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke lehtësuar barrën financiare dhe duke krijuar një mjedis më të favorshëm për arsimim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›