Miratohet vendimi për mbylljen e shkollës private “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor parauniversitar privat të arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare.
Sipas vendimit, shkollës i ishte dhënë leja e funksionimit me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 1999.
Vendimi përcakton se institucioni arsimor ka detyrimin të pajisë nxënësit me dokumentacionin e nevojshëm për transferimin në shkolla të tjera, të mbulojë shpenzimet për procedurat e transferimit, si dhe të kthejë pagesat e kryera për pjesën e papërfunduar të shkollimit apo detyrime të tjera të papërmbushura ndaj nxënësve.
Po ashtu, institucioni duhet të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim si dhe të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit e të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar do të ngrejë grup pune për zbatimin e procedurave të mbylljes dhe transferimin e nxënësve në institucione të tjera arsimore.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Fier, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Gjirokastër-Libohovë, si dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
/k.s/j.p/